Agron Shehaj: “Mundësia” do të luftojë korrupsionin dhe do të sjellë ndryshimin


Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, deklaroi se ai dhe partia e tij do të vazhdojnë betejën kundër korrupsionit, ashtu siç ka bërë ai që nga hyrja e tij në politikë.

I ftuar në një intervistë televizive, Shehaj foli për mënyrën e tij të veçantë të fushatës, duke takuar qytetarët në vendet e tyre të punës për të kuptuar nga afër problemet e tyre.

“Nuk shkoj aty për të bërë show, por sepse e di çfarë do të thotë të punosh fort për të arritur diçka. Kam qenë kamarier për shumë vite, kam bërë shumë punë të ndryshme për të mbajtur veten. Unë nuk kam lindur milioner, por ia kam dalë me punë dhe përkushtim. Ndaj zgjedh të qëndroj pranë atyre që duan të ecin përpara me ndershmëri,” u shpreh ai.

Duke folur për shqetësimet e qytetarëve, Shehaj theksoi se ata nuk janë të interesuar për debatet politike, por për problemet e tyre të përditshme. “Një zonjë më tha se para 10 muajsh i kishin mbyllur biznesin pa asnjë arsye, një biznes me të cilin kishte mbajtur familjen për 15 vjet. Pikërisht për këtë unë dua të flas me qytetarët,” tha ai.

I pyetur për lidhjet e tij me të kaluarën, Shehaj u përgjigj se shokët e tij janë njerëzit që besojnë në ndryshim.

“Barbara Doda, një vajzë e re që la PD-në për të sjellë diçka ndryshe. Erald Kapri, një historian dhe aktivist. Dhe mijëra të tjerë që i janë bashkuar kësaj nisme, jo sepse më njihnin, por sepse besojnë te ajo që ne po bëjmë,” tha ai.

Shehaj theksoi se Partia “Mundësia” nuk bën pazare politike dhe synon të ndërtojë një projekt afatgjatë për ta kthyer Shqipërinë në një vend të mundësive.

“Për mua nuk ka rëndësi posti, por vizioni. Nuk jam në politikë për rotacionin, por për ndryshimin e vërtetë. PD nuk bëri dallimin e duhur nga korrupsioni i Edi Ramës, prandaj u largova. Unë dua të flas për të ardhmen. Nuk duhet të dorëzohemi dhe nuk duhet të biem pre e pazareve, siç kanë bërë shumë të tjerë me PD-në dhe PS-në,” përfundoi ai.