Beci i përgjigjet akuzave të Berishës: Kam zgjedhur politikën time dhe punën përballë sharjeve


Benet Beci, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, ditën e sotme i është përgjigjur akuzave të Berishës, ku ky i fundit tha se Beci mbahet peng me një dosje shumë të rëndë nga Rama.

Ndërmjet të tjerave, pa dashur të merret  me asnjë akuzë në mënyrë të drejtpërdrejtë në adresë të tij, Beci tha se disa zgjedhin të shajnë dhe të flasin, por sipas tij, ai dhe ekipi i tij kanë zgjedhur të punojnë.

Beci ishte duke inspektuar nga afër nisjen e punimeve të një projekti të ri në rrugën e Shirokës, ku po ndërtohet një korsi e re biçikletash dhe rruga panoramike e liqenit për këmbësorët, duke zëvendësuar pllakat e gurit që krijonin shqetësim për përdoruesit e biçikletave.

“Secili bën më mirë atë që di të bëjë më mirë, dikush bën më mirë të flasë dhe të shajë. Ajo që dimë ne të bëjmë më mirë është që të bëjmë punën. Se puna është përgjigjja më e mirë për Shkodrën. Shkodra nuk ka nevojë shumë për një temperaturë politike sesa ka nevojë për një motivim pune. Ne kemi hyrjen e Shkodrës, ne kemi hyrjen e pashallëkut, ky investimi që filluam sot është investimi Shirokë-Zogaj. Po pastrojmë liqenin. A ka përgjigje më të bukur, më të qetë për qytetin sesa kjo?”-tha Beci.