Berisha: Rama dhe Krifca janë bërë bashkë në abuzimin me fondet e fermerëve


Kreu i PD, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur atë me çështjen e ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, e cila akuzohet për abuzim me fondet IPARD të destinuara për fermerët shqiptarë.

Sipas Berishës, shpërdorimi i 130 milionë eurove nga Krifca nuk mund të ketë ndodhur pa dijeninë e Ramës, pasi, siç theksoi ai, në të kundërt, ajo nuk do të ishte emëruar më pas si këshilltare në zyrën e kryeministrit.

“BE i dha Shqipërisë 130 milionë euro për fermerët, por çfarë ndodhi? Ministrja Krifca filloi të ‘hajë dardha’. E habitshme është se nuk ishin autoritetet shqiptare që zbuluan abuzimet e saj, por hetuesit e BE-së. Krifca i kishte shpërndarë fondet për resorte turistike dhe vila luksoze, në vend që t’i investonte në bujqësi, siç ishin parashikuar.

Hetuesit evropianë ndërhynë dhe pezulluan ndihmën. Ajo nuk mund të shpëtojë nga kjo. Por në vend që ta ndëshkonte, Rama e mori si këshilltare. Kjo do të thotë se ‘dardhat’ i kishte ndarë me të. Ai shpik justifikime se nuk ka dijeni për këto gjëra, por e vërteta është se i sheh dhe i lejon”, u shpreh Berisha.