Drejtuesi politik i PD-së në Durrës, Oerd Bylykbashi, i është kundërpërgjigjur kryetares së Bashkisë, Emirjana Sako, pasi kjo e fundit deklaroi se ai nuk arrin të marrë as votat e lagjes ku është rritur.
Në një postim të ashpër në rrjetet sociale, Bylykbashi e akuzon Sakon për korrupsion dhe lidhje me krimin, duke e cilësuar bashkinë si një “kënetë të qelbur” ku ajo “lëvrin mes aferave”.
“Çfarë halli ka? Firma në kontratën për dërgimin e mbetjeve të Durrësit te inceneratori i Tiranës që nuk ekziston? Apo projekti i Ecopark, ku nga 19 milionë euro të tenderuara, vetëm 6.5 milionë janë përdorur për punime dhe 12.5 milionë janë zhdukur? SPAK-u e ka kallëzimin apo nuk e di? Apo bëhet fjalë për firmat e saj në aferat e rindërtimit?” – shkruan ai.
Bylykbashi kujton gjithashtu rolin e tij në hartimin e ligjit të dekriminalizimit në 2015 dhe angazhimin e tij në Reformën në Drejtësi, duke paralajmëruar se drejtësia do të veprojë ndaj korrupsionit.
Ai mbyll postimin e tij me një metaforë:
“Bufi i kënetës është gjuetar në majën e zinxhirit ushqimor. Nuk dëgjohet kur fluturon, preja e kupton vetëm kur mbyllen kthetrat”.