Dy vjet nga nisja e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seancat e fundit të Prokurorisë anulohen


Sot shënohen dy vite nga fillimi i procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në këtë përvjetor ishte parashikuar që të mbaheshin dy seancat e fundit të Prokurorisë për dëshmitë e saj, por ato janë anuluar. Njëri nga dëshmitarët ka dorëzuar dëshminë me shkrim, ndërsa tjetri nuk është paraqitur në Gjykatë.

Gazetari Dibran Istrefi sqaroi se “dy seancat e planifikuara për sot dhe nesër janë anuluar, pasi njëri dëshmitar dha dëshminë me shkrim dhe tjetri nuk u paraqit”.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, konfirmoi se deri tani kanë dëshmuar 125 dëshmitarë, ndërsa 117 dëshmi janë dorëzuar me shkrim. Procesi gjyqësor ka zgjatur 206 ditë dhe janë regjistruar 150 viktima.

Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave, por ende nuk e ka mbyllur zyrtarisht rastin. Seanca e radhës është caktuar për 23 prill, ku do të diskutohen hapat e mëtejshëm, përfshirë mundësinë që mbrojtja të kërkojë rrëzimin e aktakuzës për krime lufte.

Një çështje e debatuar mbetet qëndrimi i gjatë në paraburgim i të akuzuarve dhe refuzimi i kërkesës së Hashim Thaçit për të vizituar babanë e tij të sëmurë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar sqarime nga Gjykata për këtë vendim, por sipas Griep, çështja mbetet konfidenciale.

Procesi gjyqësor në Hagë vazhdon të jetë një temë e ndjeshme në Kosovë, ndërsa pas konferencës së 23 prillit, pritet që të nisë paraqitja e mbrojtjes.