Qeveria e Hungarisë ka njoftuar tërheqjen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), një vendim i shpallur nga zyrtari i lartë i ekzekutivit, Gergely Gulyas. Njoftimi erdhi disa orë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili kërkohet me urdhër-arrest nga ICC, mbërriti në Hungari për një vizitë shtetërore.
Kryeministri Viktor Orban e kishte ftuar Netanyahun menjëherë pas lëshimit të urdhër-arrestit në nëntor, duke deklaruar se ky vendim nuk do të kishte “asnjë efekt” në Hungari.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka argumentuar se ekzistojnë “baza të arsyeshme” për ta mbajtur Netanyahun “përgjegjës penalisht” për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit. Megjithatë, Netanyahu e ka cilësuar vendimin e ICC si “antisemitik”, duke e kundërshtuar ashpër.
Hungaria është një nga anëtarët themelues të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila numëron 125 shtete anëtare. Megjithatë, disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe Izraelin, nuk e njohin juridiksionin e saj.
ICC ka autoritetin të ndjekë penalisht individët e akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, për sa kohë që ato janë kryer në territorin e një shteti palë të Statutit të Romës, traktatit themelues të gjykatës.
Izraeli e refuzon juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, por në vitin 2021, ICC vendosi se kishte të drejtë të hetonte dhe të ndiqte penalisht krime të dyshuara në Bregun Perëndimor të pushtuar, Jerusalemin Lindor dhe Gazën. Ky vendim u bazua në faktin që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kishte pranuar Palestinën si anëtare të Statutit të Romës./BBC