Hungaria tërhiqet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale mes vizitës së Netanyahut në Budapest


Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka njoftuar tërheqjen e vendit të tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), duke e cilësuar atë si një institucion të “politizuar”.

Ky vendim u bë i ditur gjatë vizitës katërditore të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar nga ICC për krime lufte në Gaza, përcjell The Guardian.

Duke qëndruar krah Netanyahut, Orbán deklaroi:
“Kjo është një gjykatë shumë e rëndësishme, por fatkeqësisht është kthyer në një forum politik.”

Nga ana e tij, Netanyahu e përshëndeti këtë veprim si një “vendim të guximshëm dhe parimor”, duke e cilësuar ICC-në si një “organizatë të korruptuar”.

Hungaria, anëtare e ICC që prej vitit 2001, do të duhet të miratojë një ligj për daljen nga gjykata përpara se të njoftojë zyrtarisht Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. Procesi i tërheqjes do të zgjasë një vit pas dorëzimit të njoftimit zyrtar.

Gergely Gulyás, shefi i kabinetit të Orbánit, tha se qeveria do të nisë procedurën e tërheqjes që këtë të enjte. Ai theksoi se ligji hungarez nuk e përfshin ICC-në në juridiksionin e tij, ndaj vendimet e saj nuk kanë asnjë efekt në Hungari.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, e quajti vendimin e Hungarisë një “akt të rëndësishëm”, duke falënderuar Budapestin për “qëndrimin e tij të qartë dhe të fortë moral në mbështetje të Izraelit”.

Ndërsa ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, deklaroi se Hungaria, për sa kohë është ende anëtare e ICC, duhet të “respektojë detyrimet e saj”.

Vizita e kryeministrit izraelit përfshin takime politike, një tur në Muzeun e Holokaustit dhe një ceremoni zyrtare pritjeje.

Hungaria, nën drejtimin e Orbánit, është një nga aleatët më të ngushtë të Netanyahut në Evropë, duke bllokuar vazhdimisht deklaratat dhe sanksionet e BE-së ndaj Izraelit.

Vendimi i Budapestit për të dalë nga ICC vjen pas sanksioneve të vendosura nga SHBA ndaj prokurorit të gjykatës, si dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Orbánit për të sfiduar institucionet ndërkombëtare.