Hungaria tërhiqet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC)


Hungaria është tërheqr nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Një zyrtar i lartë në qeverinë e kryeministrit Viktor Orban e konfirmoi këtë për BBC, disa orë pasi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti nga ICC, mbërriti në Hungari për një vizitë shtetërore.

Orban e kishte ftuar Netanyahun menjëherë pasi u lëshua urdhri i arrestit në nëntor të vitit të kaluar, duke deklaruar se vendimi nuk do të kishte “asnjë efekt” në Hungari.

Në nëntor, gjyqtarët e ICC deklaruan se kishte arsye për të besuar se Netanyahu mbante “përgjegjësi penale” për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Netanyahu e ka dënuar vendimin e ICC si “antisemitik”.

ICC është një gjykatë globale me autoritetin për të ndjekur penalisht ata që akuzohen për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Hungaria është një anëtare themeluese e ICC-së, e cila numëron 125 shtete anëtare, dhe do të bëhet shteti i parë i Bashkimit Evropian që tërhiqet prej saj. Tërheqja nuk ndikon në proceset gjyqësore në vazhdim.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Orban deklaroi se ICC ishte kthyer në një “gjykatë politike”. Ai shtoi se vendimi i gjykatës për të lëshuar një urdhër arresti kundër liderit izraelit e tregonte qartë këtë.

Ndërkohë, Netanyahu e përshëndeti vendimin e Hungarisë si një hap “guximtar dhe parimor” për t’u tërhequr nga gjykata.

“Është e rëndësishme për të gjitha demokracitë. Është e rëndësishme të qëndrojmë kundër kësaj organizate të korruptuar,” tha Netanyahu.

Një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit të enjten tha se Netanyahu dhe Orban kishin folur me presidentin amerikan Donald Trump në lidhje me vendimin dhe “hapat e ardhshëm që mund të ndërmerren për këtë çështje”.

Më herët, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, falënderoi Orbanin në platformën X për “qëndrimin e tij të qartë dhe të fortë moral përkrah Izraelit”.

“E ashtuquajtura Gjykatë Penale Ndërkombëtare humbi autoritetin e saj moral pasi shkeli parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare në përpjekjen e saj për të dëmtuar të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje,” shtoi Sa’ar.

Vendimi i Hungarisë përputhet me politikën e saj të jashtme më të gjerë nën udhëheqjen e Orbanit, i cili ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta me Izraelin dhe ka një qëndrim kritik ndaj institucioneve ndërkombëtare që shihen si ndërhyrje në sovranitetin kombëtar.

Ndërsa tërheqja e Hungarisë mund të ketë peshë simbolike dhe implikime politike, ajo nuk ndryshon ndjeshëm funksionimin apo kuadrin ligjor të ICC-së.

Gjykata ka përballuar sfida të ngjashme në të kaluarën dhe vazhdon të funksionojë me mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Megjithatë, kritikat e Hungarisë ndaj ICC si “e njëanshme politikisht” dhe vendimi i saj për t’u tërhequr gjatë vizitës së Netanyahut mund të vendosin një precedent për shtete të tjera që të vënë në pikëpyetje ose të braktisin angazhimet e tyre ndaj drejtësisë ndërkombëtare për arsye politike.

SHBA, Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut janë ndër shtetet që nuk janë pjesë e ICC-së dhe nuk e njohin juridiksionin e saj.

Izraeli gjithashtu nuk është pjesë e traktatit, por në vitin 2021, ICC vendosi se kishte juridiksion mbi Bregun Perëndimor të pushtuar, Jerusalemin Lindor dhe Gazën, pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kishte pranuar që palestinezët ishin anëtarë.

Hungaria tani duhet të dërgojë një njoftim me shkrim Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për t’u tërhequr nga traktati, me efekt një vit më vonë, sipas nenit 127 të Statutit të Romës, i cili themeloi ICC-në.

Zëdhënësi i ICC-së, Fadi El-Abdullah, i tha BBC-së:

“Në lidhje me vizitën e z. Netanyahu, gjykata ka ndjekur procedurat e saj standarde pas lëshimit të një urdhri arresti. Gjykata kujton se Hungaria mbetet e detyruar të bashkëpunojë me ICC-në.”

Që nga lëshimi i urdhrit të arrestit, autoritetet hungareze duhet teknikisht të arrestojnë Netanyahun dhe ta dorëzojnë atë në Hagë, megjithëse shtetet anëtare jo gjithmonë zgjedhin të zbatojnë urdhrat e ICC-së.

Në Evropë, disa shtete anëtare të ICC-së deklaruan se do ta arrestonin liderin izraelit nëse ai hynte në territorin e tyre, ndërsa të tjera, përfshirë Gjermaninë, njoftuan se Netanyahu nuk do të ndalohej nëse e vizitonte vendin.

Por ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të enjten se njoftimi i Hungarisë ishte “një ditë e keqe për të drejtën penale ndërkombëtare”.

“Evropa ka rregulla të qarta që vlejnë për të gjitha shtetet anëtare të BE-së, dhe ky është Statuti i Romës. Kam bërë të qartë herë pas here se askush në Evropë nuk është mbi ligjin dhe kjo vlen për të gjitha fushat e ligjit,” shtoi ajo.

Në anën tjetër të Atlantikut, SHBA e ka dënuar vendimin e ICC-së për të lëshuar urdhra arresti për Netanyahun dhe ai ka vizituar vendin që nga nëntori. Vizita e tij në Hungari është udhëtimi i tij i parë në Evropë që nga ajo kohë.

Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Szalay-Bobrovniczky, priti Netanyahun në pistën e aeroportit të Budapestit të mërkurën në mbrëmje, duke i uruar mirëseardhjen në vend.

Izraeli është duke apeluar kundër urdhrave të arrestit për Netanyahun dhe ish-ministrin e mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe i mohon akuzat. Ai gjithashtu mohon autoritetin e ICC-së dhe legjitimitetin e urdhrave.

Netanyahu deklaroi në atë kohë se ishte një “ditë e errët në historinë e njerëzimit” dhe se ICC ishte bërë “armiku i njerëzimit”.

“Ky është një hap antisemitik që ka një qëllim të vetëm – të më frikësojë mua, të na frikësojë ne nga e drejta jonë natyrore për të mbrojtur veten kundër armiqve që përpiqen të na shkatërrojnë,” tha ai.

Në të njëjtin vendim, gjyqtarët e ICC lëshuan gjithashtu një urdhër arresti kundër komandantit ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, për të cilin Izraeli thotë se ka vdekur. Hamasi i hodhi poshtë akuzat.