Macron paralajmëron përgjigje ndaj tarifave të Trump, nuk përjashton pezullimin e investimeve franceze në SHBA 


 

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Evropa nuk përjashton asnjë opsion në përgjigje të tarifave të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump, duke theksuar se “të gjitha instrumentet janë në tryezë”. 

“Duhet të veprojmë në mënyrë efektive dhe proporcionale, por gjithashtu të tregojmë qartë se jemi të vendosur të mbrojmë sektorët tanë nga këto tarifa,” tha Macron, përcjell The Guardian.

Ndër masat e mundshme, ai përmendi një ndërhyrje në shërbimet dixhitale, sektor ku Shtetet e Bashkuara përfitojnë ndjeshëm nga tregu evropian.

Po ashtu, ai hodhi idenë e pezullimit të investimeve të reja franceze në SHBA, duke argumentuar se vazhdimi i investimeve ndërsa imponohen tarifa do të dërgonte një mesazh të gabuar. 

Macron u bëri thirrje liderëve evropianë të qëndrojnë të bashkuar dhe të shmangin veprimet individuale, duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të fuqisë ekonomike të tregut të përbashkët evropian për të ndikuar në politikën tregtare.