Mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës, miratohen një sërë vendimesh


Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës janë miratuar një sërë vendimesh që synojnë mbështetjen e shtresave në nevojë dhe zhvillimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë rijetëzimin e Pallatit të Lojërave me Dorë “Asllan Rusi”.

Ndër vendimet kryesore të miratuara ishin:

  • Tavanet përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2026-2028.
  • Miratimi i listës së familjeve përfituese nga bllok-ndihma ekonomike për janar dhe shkurt 2025.
  • Autorizimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare për të vijuar projektin e investimit në Pallatin e Lojërave me Dorë “Asllan Rusi”.

Kryetarja e deleguar e bashkisë, Anuela Ristani, bëri me dije se për të tretin vit radhazi do të mbështeten programet DS4 dhe DS5 nga buxheti vendor. Po ashtu, është propozuar rritja e fondeve për subvencionimin e abonimeve të studentëve dhe pensionistëve. Prej 1 janarit 2025, Bashkia e Tiranës do të mbulojë 100% koston e abonimit për pensionistët, ndërsa do të vijojë mbështetja për studentët.

Një tjetër vendim i rëndësishëm është përfshirja e një projekti për mbështetjen e vajzave dhe grave viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, duke u ofruar atyre paketa ushqimore çdo tre muaj. Parashikohet që 200 gra dhe vajza të përfitojnë nga ky program.

Po ashtu, është propozuar një projekt për riintegrimin dhe mbështetjen e familjeve vulnerabël, i cili synon të ndihmojë ekonomikisht dhe socialisht këto familje, me fokus tek përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat në situatë rruge.

Me miratimin e këtyre vendimeve, Bashkia e Tiranës synon të forcojë mbështetjen sociale dhe të investojë në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.