Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, ku dyshohet se gjatë një konflikti fizik, tre persona kanë dhunuar dhe më pas kanë marrë me forcë me automjet, Dod Gjoka, rreth 35 vjeç, banues në Lezhë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Lezhës kanë ngritur pika kontrolli në perimetrin rrethues dhe në akset lidhëse, me qëllim kapjen e autorëve, të cilët janë identifikuar nga Policia, konkretisht K. P., B. V. dhe Xh. E., të tre banues në fshatin Tresh.
Gjithashtu, u ngritën pika kontrolli në akset rrugore drejt Tiranës, Shkodër dhe Kukësit.
Pasi policia identifikoi autorët dhe iu vu nga pas, 3 autorët e kanë lënë të lirë 35 vjeçarin duke e zbritur nga makina dhe e lënë në mes të rrugës.
‘Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe të gjendur nën presionin e kontrolleve intensive të Policisë, autorët dyshohet se e kanë zbritur nga automjeti, shtetasin D. Gj., i cili aktualisht po merr ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës dhe është jashtë rrezikut për jetën’, njoftoi sot policia.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit
Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorëve.
Kush është Dod Gjoka?
Emri i Dod Gjokës, që u mor peng ditën e sotme pas një sherri në Lezhë dhe më pas u lirua, nuk është i panjohur për Policinë dhe Drejtësinë.
Ai ka precedent të rëndë penal, pasi në vitin 2017 është arrestruar për vendosjen e një gjobe me vlerë 25 mijë euro ndaj një biznesmeni lokal, duke e kërcënuar në bashkëpunim se “do i vriste djalin”.
Biznesmeni bashkëpunoi atëkohë me Policinë pas denoncimit, në një operacion me dorëzim të kontrolluar.