Ndërron jetë ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa


Në moshën 91-vjeçare, ka ndërruar jetë aktorja e njohur Margarita Xhepa, një nga figurat më të shquara të kinematografisë shqiptare. 

Margarita Xhepa ka lindur më 2 prill 1934, në qytetin e Lushnjës.

Për fat të keq, aktorja u nda nga jeta pak ditë pas festimit të ditëlindjes së saj. 

Gjatë karrierës së saj, aktorja e madhe Margarita Xhepa ka krijuar mbi 150 role në teatër.

Aktivizimi i saj nisi në vitin 1950 si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar), ndërkohë që studioi në Liceun Artistik, dega e Dramës. Gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër, duke u shquar për interpretimet në filma dhe shfaqje të njohura, si “Majlinda”, “Lumi i vdekur”, “Cuca e maleve”, dhe “Kush e solli Doruntinën”.

Ajo ka spikatur gjithashtu në dramaturgjinë botërore, duke interpretuar rolet e Ofelisë tek “Hamleti”, vajzës së dytë tek “Mbreti Lir”, dhe mbretëreshës Margaret tek “Rikardi III”.

Në kinematografi, Margarita Xhepa ka pasur gjithashtu një karrierë të pasur, me 32 role në filma të ndryshëm, përfshirë “Vitet e para”, “Tokë e përgjakur”, “Koncert në vitin 1936”, dhe “I dashur armik”. Në vitin 1997, ajo mori Çmimin e Nderit për interpretimin në filmin grek “Mirupafshim”, i cili u shpall fitues në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik.