Netanyahu vizitë zyrtare në Hungari


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të nisë të enjten një vizitë zyrtare katër-ditore në Hungari, në atë që shënon vizitën e tij të parë në tokë evropiane pas lëshimit të një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) për krime lufte në Gaza.

Vetëm disa orë pas shpalljes së urdhër-arrestit në nëntor, kryeministri hungarez, Viktor Orbán, e sfidoi hapur vendimin e gjykatës, duke deklaruar se do të garantonte që ai “nuk do të kishte asnjë efekt në Hungari”.

Hungaria është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale që nga krijimi i saj më shumë se dy dekada më parë dhe ka detyrim të arrestojë çdo person ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar nëse hyn në territorin e saj.

Vizita e Netanyahut zhvillohet në një kohë tensionesh të larta, pasi ai ka deklaruar se Izraeli po “pushton territorin” dhe synon “ndarjen” e Rripit të Gazës, vetëm dy javë pas përfundimit të një armëpushimi të shkurtër dhe rinisjes së bombardimeve dhe operacioneve tokësore në enklavën palestineze./IT