Numri i të vdekurve nga tërmeti në Mianmar rritet në 3,085


Numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues që goditi Mianmarin gati një javë më parë është rritur në 3,085, ndërsa ekipet e kërkimit dhe shpëtimit kanë gjetur më shumë trupa, njoftoi qeveria e udhëhequr nga ushtria.

Sipas autoriteteve, 4,715 persona janë plagosur dhe 341 rezultojnë ende të zhdukur. Epiqendra e tërmetit me magnitudë 7.7, që goditi vendin të premten, ishte pranë qytetit të Mandalay, i dyti më i madh në Mianmar. Lëkundjet rrëzuan mijëra ndërtesa, dëmtuan rrugët dhe shkatërruan ura në shumë rajone të vendit.

Ndërkohë, raportet e mediave lokale sugjerojnë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë se shifrat zyrtare. Me shumë zona të izoluara dhe telekomunikacionin e dëmtuar, autoritetet paralajmërojnë se bilanci tragjik mund të rritet ndjeshëm në ditët në vijim.

Tërmeti goditi një vend tashmë të përfshirë nga një luftë civile, pas grushtit të shtetit të vitit 2021, kur ushtria mori pushtetin nga qeveria e zgjedhur demokratikisht e Aung San Suu Kyi.

Tërmeti shkatërrues në Mianmar ka përkeqësuar një krizë tashmë të rëndë humanitare, ku mbi 3 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe rreth 20 milionë janë në nevojë urgjente për ndihmë, sipas Kombeve të Bashkuara.

Për shkak të frikës se luftimet e vazhdueshme mund të pengojnë përpjekjet për ndihmë, ushtria e Mianmarit shpalli një armëpushim të përkohshëm deri më 22 prill.

Ky vendim vjen pasi edhe grupet e rezistencës së armatosur, që kundërshtojnë regjimin ushtarak, kishin njoftuar armëpushime të njëanshme.

Megjithatë, ushtria paralajmëroi se do të ndërmarrë “masa të nevojshme” nëse kundërshtarët e saj e shfrytëzojnë periudhën e armëpushimit për t’u rigrupuar, trajnuar ose për të nisur sulme të reja.

Ndërkohë, në Bangkok, ku tërmeti shkaktoi shembjen e një rrokaqielli në ndërtim, ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar.

Guvernatori Chadchart Sittipunt deklaroi se është detektuar një mundësi jete mes rrënojave. Deri më tani, në qytet raportohet për 22 viktima dhe 35 të plagosur, kryesisht si pasojë e shembjes së ndërtesës së papërfunduar./AP