Rama në “Shqipëria 2030 në BE”: Anëtarësimi, garanci për lirinë dhe barazinë para ligjit


Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të dytë të nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e Reformave”, theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE si një garanci për lirinë dhe barazinë e qytetarëve.

Ai vuri në dukje se popullariteti i BE-së është rritur ndjeshëm brenda perimetrit te vet, pasi qytetarët e tij e shohin atë si një hapësirë sigurie.

Rama tha se për shqiptarët, integrimi në BE është çlirimi përfundimtar nga e kaluara dhe sigurimi që liria dhe barazia para ligjit të mos varen nga qeverisja në Tiranë.

Që nga 1983 BE nuk ka qenë më popullor sipas një ankete, brenda perimetrit të vet, se sa është aktualisht.
Është një ndryshim dramatik i këndvështrimit popullor në BE që natyrisht vjen si rezultat i faktit që çka ishte marrë deri para pak kohës si e mirëqenë nuk është më e tillë. Instinktivisht popujt e BE janë vetëdijësuar se BE është edhe një perimetër sigurie brenda të cilit vendet dhe popujt të ndjehen e duan të mbeten të pa kërcënuar në të gjithë atë që kanë arritur dhe mbi të gjitha në lirinë individuale dhe barazinë e tyre para ligjit.
Për ne shqiptarët mbetet e thjeshtë pse-ja e domosdoshmërisë për të qenë anëtarë të BE, që për ne është të jemi përfundimisht të lirë nga hija e historisë tonë dhe të sigurt që liria jonë individuale dhe barazia para ligjit të mos jenë më atribut i lëvizshëm në lidhje me faktin se kush qeveris në Tiranë”, tha ai.