Policia e Tiranës ka goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit, duke arrestuar dy shtetas turq, një 31-vjeçar dhe një 27-vjeçare, në kuadër të operacionit “Foreigners”.
Ata akuzohen se detyronin dy gra, një nga Turqia dhe një nga Azerbajxhani, të ushtronin prostitucion në një apartament në Rrugën e Barrikadave.
Gjatë operacionit u sekuestruan 2500 euro, 200 dollarë dhe tre celularë.
Njoftimi:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të prostitucionit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Foreigners”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit turq Maral Huseynova dhe Sinan Bolat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për prostitucion një shtetase nga Turqia dhe një shtetase nga Azerbajxhani, të cilat e ushtronin prostitucionin në një apartament në Rrugën e Barrikadave.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan shtetasja Maral Huseynova, 27 vjeçe dhe shtetasi Sinan Bolat, 31 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetaset që ushtronin prostitucion.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2500 euro dhe 200 dollarë të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, si dhe 3 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.