Berisha në Malësinë e Madhe: Nuk e bëj këtë betejë për vete, por për shqiptarët


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me demokratët e Malësisë së Madhe, ku komentoi situatën politike dhe replikat mes kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Bashës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi këto përballje, duke i cilësuar si një “gili vili” të përditshëm.

Ai shtoi se rrethanat e detyruan që të rikthehej në politikë, duke theksuar se kjo betejë nuk është për interesat e tij personale, por për një Shqipëri të fuqishme dhe të sigurt, që do të ecë në rrugën e Bashkimit Europian.

 “Berisha nuk është në këtë betejë për veten apo familjen e tij, por për Shqipërinë Madhështore dhe për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, ku rrogat të rriten dhe cilësia e jetesës të përmirësohet”, tha ai.

Berisha: A e shikoni çfarë ndodh me Lulzim Bravën, gili vili përditë me Ramën. Është keqpërdorim. Ishin rrethanat që më imponuan të kthehem. Berisha nuk e bën këtë betejë për veten apo për familjen, por për Shqipërinë Madhështore, që vendi të ecë e sigurt drejt Bashkimit Europian. E bëj këtë betejë për shqiptarët, që rrogat të jenë më të mira dhe cilësia e jetesës të rritet.