Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se pas fitores më 11 maj, pensionet do të rriten me 20% dhe do të indeksohen dyfishin e inflacionit.
Ai theksoi se rroga minimale nuk do të jetë nën 500 euro dhe do të ofrohen lehtësira fiskale për sipërmarrësit.
Berisha gjithashtu prezantoi një paketë për përmirësimin e kushteve të pensionistëve, duke përfshirë kartën e konsumatorit që do të ofrojë zbritje të çmimeve dhe ilaçet pa tatim.
Ai kritikoi qeverinë për menaxhimin e keq të fondit të pensioneve dhe për luksin e shpenzimeve të udhëheqësve.
“Pensionet do rriten me 20 përqind dhe do indeksohen dyfishin e inflacionit.
Jo vetëm kaq, pensionistët dhe rrogëulëtit, sepse rrogat e ulëta nuk do mund të ketë rrogë të ulët nën 500 euro. Jo!
Ne luftojmë shumë për një klimë miqësore për biznesin dhe unë garantoj çdo sipërmarrës se ky imponim ligjor i qeverisë do shoqërohet me lehtësira të mëdha fiskale në mënyrë që ata përsëri të kenë fitimin që meritojnë, të investojnë, të punësojnë dhe të zgjerojnë punën e tyre.
Por rrogë nën 500 euro nuk mund të ketë.
Pas kësaj, ne do vendosim pagën për orë pune. Ne do ecim në rrugën që ecin vendet e lira. Vendet e lira nuk ecin në rrugën e shfrytëzimit të egër, ecin në rrugën e përhapjes së mirëqenies, rritjes së nivelit të jetesës së tyre.
Pensionistët do kenë kartën e konsumatorit.
Karta e konsumatorit parashikon që ata të marrin 20 përqindëshin që paguajnë si TVSH çdo 6 muaj, dmth do marrin rreth 450 euro në vit zbritje të çmimeve të ushqimeve dhe gjërat bazë.
I garantoj pensionistët dhe të gjithë të moshuarit se lista e rimbursimeve do jetë identike me Italinë.
Do merret lista e rimbursimeve që Italia ka për qytetarët e vet dhe ne do e vendosim këtu. Ne nuk jemi si Italia, por për ilaçet do të jemi ne se ilaçet nuk janë luks.
Dhe jo vetëm kaq, në Shqipëri nuk mund të shiten ilaçe kurrë përveç atyre që tregtohen në dy vende anëtare të BE.
Ne parashikojmë dhe do zbatojmë përgjysmimin e çmimit në të gjitha udhëtimet ndërurbane të pensionistëve. Kjo është kompetencë e qeverisë.”
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se përpjekja për rritjen e pensioneve është një çështje thelbësore e dinjitetit njerëzor.
Sipas Berishës, Kosova ka rritur pensionet duke përdorur 100 milionë euro nga buxheti, ndërsa Shqipëria nuk ka arritur të bëjë të njëjtën gjë.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha akuzoi qeveritarët, përfshirë ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shpenzime të tepruara dhe jetesë luksoze.
Ai përmendi kostot e larta për udhëtime me avion privat, duke theksuar se shpenzohet 21 milionë euro për udhëtime, ndërsa kancelari i Austrisë, në një vend 10-15 herë më të pasur, udhëton me linjë tregtare.
Ai e quajti absurd faktin që ministrat e qeverisë, përfshirë Ballukun, shpenzojnë më shumë për luksin e tyre, ndërkohë që pensionistët dhe ata që marrin paga të ulëta jetojnë me shumë mundime.
“Të dashur miq, në këtë përpjekje ka një element thelbësor, përpjekjen për dinjitet njerëzor.
Nuk mund të lësh kurrë ti atë që ka punuar gjithë jetën dhe t’i thuash tani se ky fondi i pensioneve këtu është keqmenaxhuar nga qeveritë, nuk më lë mua të rris pensionet. Ky është mashtrim publik.
Se vërtet ky fondi nuk i ka paratë për t’i rritur, por nga buxheti mund të çosh paratë për të rritur këtë fondin. Qeveria e Kosovës 4 muaj përpara mori 100 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe i çoi në fondin e pensioneve dhe rriti pensionet 20 përqind. A shkoi Kosova në humnerë?
Ky njeri, që zhgërryhet në luks, që ka saraje me vilë me themele dy herë më të gjata se ajo e Enver Hoxhës, që ka një park-oborr rreth vilës prej 850 metër katrorë, 4 herë më i madh se i Enver Hoxhës, ky nuk do t’ia dijë për të tjerët.
Ky hap shishe 33 mijë euro.
Ky udhëton me avion, shpenzon 21 milionë euro me avion taksi në dispozicion, në një kohë kur kancelari i Austrisë udhëton me linjë tregtare. Austria është nja 10-15 herë më e pasur se ne, por ai udhëton me linjë tregtare. Edhe ministrat e tij. Ministrat e tij ulen me biftek 1 mijë euro se ky hap shishen.
A kishit dëgjuar ndonjëherë ju të dashur miq, 10 mijë euro në muaj lavazhi i veturës së Lubi Ballukut?
Po, është real. Janë dokumente zyrtare. Tejkalojnë imagjinatën.
Imagjinoni ju se sa u dhimbset, se çfarë ndjenjash kanë këta për ata pensionistë që marrin 100 euro, 67 euro. Ata u duken miza, ata nuk ekzistojnë. Ata i ka verbuar luksi, i ka verbuar vjedhja”, tha ai.