Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Zall Herri se investimet në fushën e mbrojtjes janë dhjetëfishuar dhe se Shqipëria ka sot ushtrinë më të paguar në rajon, me një pagë mesatare prej 1550 euro.
Ai shtoi se rekrutimet janë rritur ndjeshëm dhe Forcat e Armatosura po pajisen me teknologji moderne dhe përfitime të reja.
“Shqipëria ra në humnerë dhe më pas kishte braktisje shumë të gjatë të fushës së mbrojtjes. Shteti ia ktheu kurrizin Forcave të Armatosura.
Ne kemi 10-fishuar investimet në fushën e mbrojtjes. Dikur investohej për gjithë ushtrinë aq sa sot investojmë vetëm për Mbrojtjen Civile.
Sot kemi një Forcë të Armatosur të Republikës së Shqipërisë, drejt së cilës të rinjtë po hedhin sytë. Rekrutimet janë 5-fishuar.
Në rajon, kemi ushtrinë më të paguar. Jemi sot në pagë mesatare 1550 euro dhe nuk është stacioni ynë i fundit.
Do kemi një ushtri të paguar, aq sa mesatarja e vendeve të NATO-s. Ushtria do ketë pajisje të avancuar të kohës. Shumë rekrutë do kenë akses në kredi të butë.”