Në një intervistë në podcastin e Kryeministrit Edi Rama, Kryepeshkopi Joan Pelushi ka ndarë historinë e tij shpirtërore, duke folur për vendimin e tij për t’u bërë prift dhe lidhjen e ngushtë me Kryepeshkopin Anastas.
Pelushi tregoi se, nga një familje jo e krishterë, iu desh një kërkim shpirtëror i thellë, që kulmoi kur lexoi Ungjillin për herë të parë në moshën e gjimnazit.
“Kur lexova Ungjillin, diçka ndryshoi brenda meje dhe kuptova që do të bëhesha prift,” tha ai. Kryeministri Rama theksoi se këtë vendim Pelushi e kishte shprehur me një siguri të jashtëzakonshme, duke e konsideruar si një thirrje shpirtërore të pashpjegueshme.
“Ju kishit një fjali kumbuese që unë do bëhem prift. Ndodhi por arsyeja përse e solla këtu është që nuk kemi pas mundësi që të flasim me po të njëjtën liri. Nga vinte ajo siguri dhe ajo bindje që unë do bëhem prift”, e pyet kryeministri Rama.
“Vij nga një familje e madhe, 8 fëmijë, dhe aspak e krishterë. Nuk ishte konvertim, thjesht një kërkim që u bë gjithnjë më i fortë brenda meje. Kur lexova për herë të parë Ungjillin, diçka ndryshoi brenda meje, dhe e kuptova që do të bëhesha prift.”
Kryepeshkopi Joan Pelushi ndau kujtimet e tij të hershme për leximin, duke theksuar se leximi i Ungjillit në vitin e katërt të gjimnazit ka pasur një ndikim të thellë në jetën e tij.
Ai tha se përmes leximit, ndjeu gëzimin e fëmijërisë dhe u bind për t’u bërë prift, një vendim që lindi nga një thirrje e thellë shpirtërore.
“Kur kam qenë i vogël dhe në rininë e hershme më ka pëlqyer leximi, në atë kohë nuk e mendoja pse.
Pas shumë kohësh e mendoj, çdo njeri është një qenie në kërkim, është një qenie e etur, gjithmonë kërkon për një ujë por varet çfarë uji pi, që të sëmuret ose të shuajë etjen.
Kur lexova për herë të parë Ungjillin, në vitin e 4 të gjimnazit ndodhi diçka thellë brenda meje. Kur lexova Ungjillin mu kthye përsëri ai gëzimi i fëmijërisë.
Me Petro Zhejin pothuajse kemi lexuar të gjithë bibliotekën te Rruga e Elbasanit. Këtë e kuptuam më vonë kur shkuam në Amerikë.
Pjesën më të madhe të librave e kisha lexuar, në shkollën kur shkova. Bindja për t’u bërë prift dhe për ti shërbyer Zotit lindi që atëherë.
Janë disa bindje që nuk mund ti shpjegosh nga ana racionale, por në atë kohë të bëheshe prifti ishte e paimagjinueshme, një varg nga Zbulesa më rrinte në mendje, kur thotë zoti që unë jam ai që hap dhe askush nuk mbyll.
E pashë edhe si diçka personale, përderisa Zoti e hapi këtë rrugë patjetër që do e çoj deri në fund”, shprehet Pelushi.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë kujtime nga njohja e tij e hershme me Kryepeshkopin Joan Pelushi, duke përmendur bisedat e tyre të shumta për tema shpirtërore gjatë viteve ’80, kur ndodhej në rrugën “Myslym Shyri”.
Rama kujtoi se, në ato vite, as nuk mendohej se do të dilnin në botën e lirë dhe do të mund të praktikonin fenë.
“Ne kemi njohje shumë të vjetër dhe kemi folur për këto tema duke bërë ecejake mbrëmjeve në rrugën ‘Myslym Shyri’ deri pas mesnate. Flitet për vitet ’80 dhe as nuk mendohej që ne do të dilnim në botën e lirë dhe do të kishim lirë të praktikonim fenë. Ju kishit një fjali shumë të thjeshtë kumbuese, që unë do të bëhem prift”, tregoi ai.
Imzot Joani përshkoi edhe shërbimin e tij pranë Spitalit Psikiatrik numër 5 në Tiranë, ku para se të bëhej prift ka shërbyer si infermier.
Rama: Punonit infermier në spitalin psikiatrik. E kujtoj shumë mirë atë pjesë. Të kesh të bësh me këtë sëmundje të tillë është një sfidë shumë e madhe. Kur mendon se dikush me të cilin ti po flet, kalon ditën çdo ditë atje, të duket si çudi e madhe. Më kujtohet që ju thoshit të japësh është gjëja më e mirë që njeriu mund të bëjë, sepse jep dhe pastron veten në një kuptim tjetër.
Fotlumturi Joani: Arsyeja pse shkova atje, kjo ishte. Edhe familja ime u befasua dhe iu duke habitshme që çdo ky djalë i ri që do punojë atje.
Rama: Fillimi ishte i vështirë.
Fotlumturi Joani: E vështirë ishte gjatë gjithë kohës.
Rama: Në kuptimin, përballje me atë gjendje moskomunikimi.
Fortlumturi Joani: Isha përgatitur shpirtërisht, ajo që ndjeva herën e parë ishte dhembshuria për këta njerëz, sidomos kur ishte dikush për të cilin ishim rritur bashkë. Kisha 8 vite në klasë dhe e takova atje, kjo ndoshta më shtyu kohën për të qëndruar, kur më propozuan nuk pranova. Mendova jo se unë do i shëroja, por të mundohesha t’ia lehtësoja pak dhimbjen. Jeta jonë, nuk është vetëm e jona. Këto konceptet, është jeta ime bëj çfarë të dua, më duken pak.. nuk them qesharake, por të lehta.
Fortlumturi Joani tregon edhe se si vendosi të kthehet nga SHBA në Amerikë, kur në vitin 1992 kontaktoi me Kryepeshkopin e ndjerë Anastas.
Rama: Shkuat në Itali dhe pastaj përfunduat në Amerikë. Pse morët vendimit të futeshit në rrugën e besimit ortodoks.
Fortlumturi Joani: Kur u thash që do kthehem, u erdhi pak keq, u kisha thënë që në fillim, që nëse do hapet unë do kthehem. Zakonisht kur dikush sponsorizon me brusë është ideja të shërbesh. Një prit në shumë ose një më pak do ishte e njëjta gjë. Amerika nuk kishte nevojë për mua.
Puna e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas dhe pasioni i tij për Kishën Ortodokse Shqiptare krijuan një lidhje të fortë mes të dyve. Për Pelushin, ai ishte një udhëheqës dhe një mësues i madh.
“Kryepeshkopi Anastas është një tjetër figurë e ndritur në historinë e kishës sonë. Bëri të mundur rindërtimin nga gërmadhat me durim të madh dhe dashuri për Kishën e njerëzit. Nuk mund të qëndrosh 3 dekada, shpesh herë edhe me kundërshtime, po nuk pati dashuri të madhe për Kishën dhe njerëzit, përvoja që kam duke qenë me të për 33 vite, e kam parë që Kishën e donte, njerëzit i donte edhe vendin donte. Në Greqi ka pasur ankesa që je më tepër shqiptar se sa duhet”, tha Pelushi.