Pamjet filmike të marra me celular, që dokumentojnë momentet e fundit të disa prej 15 paramedikëve dhe punonjësve të shpëtimit palestinezë të vrarë nga forcat izraelite muajin e kaluar në Gaza, duket se kundërshtojnë versionin zyrtar të ngjarjes të paraqitur nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
Videoja gati shtatë minuta e gjatë, për të cilën Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS) tha të shtunën se ishte rikuperuar nga telefoni i Rifat Radwan, një nga personat e vrarë, duket se është xhiruar nga brenda një automjeti në lëvizje.
Ajo tregon një zjarrfikëse të kuqe dhe disa autoambulanca të shënuara qartë duke udhëtuar natën me fenerë dhe drita emergjente të ndezura, sipas The Guardian.
Automjeti ndalet pranë një tjetri që ka dalë nga rruga. Dy burra zbresin për të kontrolluar automjetin e ndalur dhe më pas fillon të dëgjohet breshëri armësh, përpara se ekrani të errësohet.
Ushtria izraelite ka deklaruar se ushtarët e saj “nuk sulmuan në mënyrë të rastësishme” autoambulanca, duke këmbëngulur se qëlluan ndaj “terroristëve” që po afroheshin me “automjete të dyshimta”.
Zëdhënësi ushtarak, nënkoloneli Nadav Shoshani, tha se trupat hapën zjarr ndaj automjeteve që nuk kishin marrë leje paraprake për të hyrë në atë zonë dhe që, sipas tij, udhëtonin pa drita.
IDF deklaroi të shtunën se incidenti është ende në hetim dhe se “të gjitha pretendimet, përfshirë dokumentacionin që qarkullon për këtë ngjarje, do të shqyrtohen në mënyrë të plotë për të kuptuar sekuencën e ngjarjeve dhe trajtimin e situatës”.
Pesëmbëdhjetë paramedikë dhe punonjës shpëtimi palestinezë, përfshirë të paktën një punonjës të OKB-së, u vranë në incidentin e ndodhur në Rafah më 23 mars. OKB-ja ka deklaruar se forcat izraelite i qëlluan viktimat “një nga një” dhe më pas i varrosën në një varr masiv.
Sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare të OKB-së (OCHA), PRCS dhe punonjës të Mbrojtjes Civile ndodheshin në një mision për të shpëtuar kolegë që ishin qëlluar më herët gjatë ditës, kur automjetet e tyre të shënuara qartë u vunë nën zjarr të rëndë nga forcat izraelite në lagjen Tel al-Sultan të Rafahut.
Një zyrtar i Gjysmëhënës së Kuqe në Gaza tha se kishte prova që të paktën një person ishte ndaluar dhe vrarë, pasi trupi i tij ishte gjetur me duart e lidhura.
Të shtënat ndodhën një ditë pas rifillimit të ofensivës izraelite në zonën pranë kufirit me Egjiptin, pas prishjes së një armëpushimi dy mujor mes Izraelit dhe Hamasit.
Një punonjës tjetër i Gjysmëhënës së Kuqe që ndodhej në mision ende konsiderohet i zhdukur.