Protestues anti-Trump mblidhen në Uashington dhe qytete të tjera të SHBA-së


Mijëra protestues u mblodhën të shtunën në Uashington dhe në mbarë SHBA-në, në kuadër të rreth 1,200 demonstratave të organizuara në të 50 shtetet amerikane si dhe në disa vende të tjera, në atë që pritet të jetë dita më e madhe e protestës kundër Presidentit Donald Trump dhe aleatit të tij miliarder, Elon Musk, që kur Trump u kthye në detyrë në janar.

Nën një qiell të mbuluar dhe shi të lehtë, turma të mëdha u derdhën në sheshin përreth Monumentit të Uashingtonit. Organizatorët i thanë agjencisë Reuters se më shumë se 20,000 persona priteshin të merrnin pjesë në tubimin në National Mall.

Këto protesta u dhanë kundërshtarëve të Trump-it një mundësi për të shprehur publikisht pakënaqësinë ndaj valës së urdhrave ekzekutivë të lëshuara nga ai që prej marrjes së mandatit, përcjell Reuters.

Sipas faqes zyrtare të ngjarjes, rreth 150 grupe aktiviste ishin regjistruar për të marrë pjesë, përfshirë sindikata, organizata mjedisore, grupe për të drejtat e komunitetit LGBTQ dhe aktivistë pro-palestinezë. Protesta të ngjashme u organizuan gjithashtu në Kanada dhe Meksikë.

Terry Klein, një shkencëtare mjekësore e pensionuar nga Princeton, New Jersey, tha se kishte udhëtuar për të marrë pjesë në protestë kundër politikave të Trump-it në fusha të ndryshme: “Gjithçka, nga emigracioni te ajo çështja e DOGE, te tarifat e kësaj jave, te arsimi. I gjithë vendi ynë është nën sulm – të gjitha institucionet që e bëjnë Amerikën atë që është.”

Ndërsa dita avanconte, turma përreth memorialit u rrit. Disa mbështetës mbanin flamuj të Ukrainës, të tjerë shalla keffiyeh palestinezë dhe pankarta me mbishkrimin “Free Palestine”, ndërsa anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kritikonin politikat e Trump-it nga podiumi.

Wayne Hoffman, 73 vjeç, një menaxher financiar i pensionuar nga West Cape May, New Jersey, shprehu shqetësim për politikat ekonomike të Trump-it, përfshirë përdorimin e përhapur të tarifave.

 “Do t’i kushtojë fermerëve në shtetet republikane. Do t’u kushtojë njerëzve vendet e punës – dhe kursimet e tyre për pension. Njerëzit kanë humbur dhjetëra mijëra dollarë,” tha ai.

Ndërkohë, Trump kaloi ditën në Florida duke luajtur golf në klubin e tij në Jupiter, përpara se të kthehej në rezidencën Mar-a-Lago në pasdite.

Me bekimin e Trump-it, “Departamenti i Efiçencës së Qeverisë” i drejtuar nga Musk (DOGE), ka ndërmarrë një shkurtime masive në administratën federale, duke eliminuar mbi 200,000 vende pune nga rreth 2.3 milionë punonjës federalë.

 Ky proces është shoqëruar herë pas here me mungesë planifikimi dhe rikthim të specialistëve të nevojshëm.

Vetëm të premten, Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) filloi pushimin nga puna të mbi 20,000 punonjësve – rreth 25% e stafit të tij.

Disa qindra persona protestuan gjithashtu jashtë selisë së Administratës së Sigurimeve Shoqërore pranë Baltimores, një nga objektivat kryesore të DOGE, kundër shkurtimeve që rrezikojnë shërbimet për të moshuarit dhe të paaftët.

Agjencia njoftoi kohët e fundit shkurtimin e 7,000 vendeve pune dhe ndërprerjen e shërbimeve telefonike për miliona përfitues.

Shumë nga protestuesit, kryesisht pensionistë, mbanin pankarta të shkruara me dorë si: “Ku ka shkuar vendi im?”, “Pushojeni DOGE!”, “Dërgojeni Musk-un në Mars” dhe “Duart larg nga Sigurimet Shoqërore!”.

Linda Falcao, e cila do të mbushë 65 vjeç pas dy muajsh, iu drejtua turmës duke thënë: “Kam paguar për sigurimet shoqërore që nga mosha 16 vjeç. Jam e tmerruar, jam e zemëruar, jam e shokuar që kjo po ndodh në SHBA. E dua Amerikën dhe zemra më thyhet. Dua paratë e mia! Dua përfitimet e mia!”

Turma nisi të thërrasë me njëzëri: “Janë paratë tona!”

Në përgjigje të akuzave, zëvendëssekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Liz Huston, mohoi që Presidenti Trump të ketë ndërmarrë hapa për të shkurtuar Sigurimet Shoqërore apo Medicaid-in. 

Qëndrimi i Presidentit Trump është i qartë: ai do t’i mbrojë gjithmonë përfitimet e Sigurimeve Shoqërore, Medicare dhe Medicaid për përfituesit legjitimë.Ndërkohë, qëndrimi i demokratëve është që t’u japin këto përfitime emigrantëve të paligjshëm, gjë që do të rrënojë këto programe dhe do të dëmtojë rëndë të moshuarit amerikanë,” tha Huston përmes një emaili.

Shumë nga iniciativat e Trump-it janë penguar nga padi ligjore që e akuzojnë për tejkalim të kompetencave presidenciale, përpjekje për të shkarkuar nëpunës civilë, dëbimin e emigrantëve dhe përmbysjen e të drejtave të komunitetit transgjinor.

Që kur u kthye në detyrë më 20 janar, Trump ka lëshuar një sërë urdhrash ekzekutivë që kritikët i shohin si të lidhura ngushtë me axhendën e “Projektit 2025” – një iniciativë politike ultrakonservatore për të riformuar administratën dhe për të përqendruar pushtetin ekzekutiv.

Ndërkohë, qindra amerikanë anti-Trump që jetojnë në Europë u mblodhën në Berlin, Frankfurt, Paris dhe Londër për të protestuar kundër ndryshimeve drastike që Presidenti Trump ka ndërmarrë në politikat e brendshme dhe të jashtme të SHBA-së.