Shehaj nga Elbasani: Shteti nuk mbështet bizneset, duhet të adoptojmë euron


Gjatë një vizite në një biznes prodhimi çantash kartoni në Elbasan, Agron Shehaj u shpreh se sipërmarrësit në Shqipëri përballen me vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së mbështetjes nga shteti.
Ai theksoi se luhatjet e kursit të këmbimit dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe propozoi që Shqipëria të adoptojë euron si monedhë zyrtare, një hap që sipas tij do të stabilizonte ekonominë dhe do t’u jepte më shumë siguri bizneseve.

“Në Elbasan erdhëm dhe vizituam një tjetër qytetar që kërkon t’ia dalë me punë dhe është një biznes që prodhon çanta kartoni për bizneset shqiptare por edhe të huaja. Një histori suksesi, ku është gjithë historia e sipërmarrësve të vegjël dhe të mëdhenj që kërkojnë t’ia dalin me punë edhe që në fakt do të donin ta rrisnin biznesin e tyre, por fatkeqësisht nuk kanë kushtet për ta bërë, sepse shteti nuk është në krah tyre, por shteti vetëm sa i pengon,” u shpreh Shehaj.

Agron Shehaj propozoi edhe adoptimin e euros si monedhë të vendit.

Një nga problemet kryesore të bizneseve eksportuese është luhatja e kursit të këmbimit. Ne sipërmarrës nuk bën dot një biznes plan, nuk parashikon dot të ardhurat për vitet e ardhshme sepse nuk e di sa do të jetë vlera e euros. Efekt i pastrimit të parave, nga paratë e korrupsionit dhe paratë e krimit, vlera e euros ka rënë dhe ka vënë në vështirësi shumë eksportues. Propozimi ynë për adoptimin e euros në Shqipëri, ashtu siç e ka Kosova dhe Mali i Zi, do ishte një ndihmë shumë e madhe për eksportuesit, të cilët nuk do ta vrisnin më mendjen, nuk do shqetësoheshin më për vlerën e prodhimit të tyre, e shitjeve të tyre, sepse do të prodhonin me të njëjtën monedhë me të cilën kishin edhe kostot e prodhimit,” deklaroi Shehaj.