Të paktën 18 të vrarë nga një sulm me raketa ruse në qytetin e lindjes së Zelensky-t


Të paktën 18 persona, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë në një sulm me raketa ruse në Kryvyi Rih, qyteti i lindjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, sipas autoriteteve ukrainase.

Guvernatori rajonal, Serhii Lysak, tha se 61 persona janë plagosur nga sulmi i së premtes, përfshirë një foshnjë tre muajshe dhe banorë të moshuar. 40 persona ndodhen ende në spital, mes tyre dy fëmijë në gjendje kritike dhe 17 në gjendje të rëndë.

Raketa goditi një zonë pranë ndërtesave banimi – një kënd lojërash dhe rrugë të zakonshme”, shkroi Zelenskyy në Telegram, duke e quajtur sulmin si dëshmi të mëtejshme të mungesës së vullnetit të Rusisë për të ndalur luftën, përcjell The Guardian.

“Çdo raketë, çdo sulm me dron tregon se Rusia kërkon vetëm luftë,” tha ai, duke iu bërë thirrje aleatëve të Ukrainës të rrisin presionin ndaj Moskës dhe të forcojnë mbrojtjen ajrore të vendit.

“Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe pjesa tjetër e botës kanë mjaftueshëm fuqi për të detyruar Rusinë të heqë dorë nga terrori dhe lufta”, theksoi Zelenskyy.

Kreu i këshillit të mbrojtjes së qytetit, Oleksandr Vilkul, u shpreh: “Nuk mund të ketë kurrë falje për këtë. Kujtim i përjetshëm për viktimat.”

Ministri britanik për Evropën, Stephen Doughty, e cilësoi sulmin si një “kujtesë tronditëse se Putini vazhdon të udhëheqë luftën e tij barbare kundër Ukrainës”.

Ai shtoi: “Mendimet tona janë me familjet dhe të dashurit e viktimave. Siç ka thënë kryeministri, Rusia mund të zgjedhë të pranojë një armëpushim, por në vend të kësaj vazhdon të bombardojë Ukrainën dhe popullin e saj.”

Autoritetet lokale thanë se sulmi dëmtoi rreth 20 ndërtesa banimi, më shumë se 30 automjete, një ndërtesë edukative dhe një restorant.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se kishte kryer një “sulm me raketë precize me një krye-lëndë shpërthyese të fuqishme” mbi një restorant ku, sipas saj, kishte ndodhur një takim mes komandantëve ushtarakë ukrainas dhe instruktorëve perëndimorë.

Sipas tyre, 85 ushtarakë dhe oficerë të huaj janë vrarë, ndërsa 20 automjete janë shkatërruar – një pretendim që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe që u hodh poshtë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Më vonë, një sulm me dron në Kryvyi Rih vrau një grua dhe plagosi shtatë persona të tjerë.

Ndërkohë, shefi i forcave të armatosura britanike, admirali Sir Tony Radakin, u takua me Zelenskyy-n të premten, së bashku me kreun e ushtrisë franceze, gjeneral Thierry Burkhard.

“Britania dhe Franca po bashkëpunojnë dhe Evropa po reagon në mënyrë konkrete, me 200 planifikues nga 30 shtete që punojnë për të forcuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës,” tha Radakin.

Britania dhe Franca janë në ballë të planeve për krijimin e një “koalicioni të vullnetit të mirë”, i cili do të ndihmonte në garantimin e sigurisë së Ukrainës në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.