Bora përfshin Shkodrën, Dibrën e Kukësin, policia mesazh shoferëve


Reshjet e borës e ngricat kanë përfshirë veriun e verilindjen e vendit.

Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat malore dhe aty ku ka vështirësi qarkullimi.

Në zonat ku ka reshje bore, makinat duhet të kenë goma dimërore ose zinxhirë.

“Si pasojë e motit të keq me reshje dëbore në Dibër, Kukës dhe Shkodër, Policia e Shtetit apelon për KUJDES TË SHTUAR për drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve. Drejtuesit e automjeteve këshillohen të ulin shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera. Është e rëndësishme të respektohet sinjalistika rrugore, të ndiqen udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore‍ dhe të shmangen lëvizjet e panevojshme në zonat me vështirësi qarkullimi, kyesisht në zonat malore. Në rast të udhëtimeve në zonat e prekura nga reshjet e dëborës, automjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë. Borëpastrueset dhe fadromat vijojnë intensivisht punën për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës. Në rast nevoje, telefononi në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë menjëherë në ndihmë.” – thuhet në njoftimin e policisë.