Dy deputete laburiste britanike ndalohen të hyjnë në Izrael gjatë një vizite në Bregun Perëndimor


Dy deputete të Partisë Laburiste në Britani, Abtisam Mohamed dhe Yuan Yang, u shprehën “të habitura” pasi u ndalua hyrja e tyre në Izrael gjatë një udhëtimi për të vizituar territorin e pushtuar të Bregut Perëndimor. Ato theksuan rëndësinë që parlamentarët të jenë në gjendje të shohin nga afër situatën në territoret palestineze të pushtuara.

Sipas autoriteteve izraelite të emigracionit, ndalimi u bë për shkak se deputetet kishin qëllim të “përhapnin gjuhë urrejtjeje” kundër shtetit izraelit dhe qytetarëve të tij. Ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel, miratoi ndalimin e hyrjes së tyre dhe të dy ndihmësve që udhëtonin me to, duke i akuzuar për përpjekje për të “dokumentuar forcat e sigurisë”.

Ministria e Jashtme Britanike konfirmoi se grupi ishte pjesë e një delegacioni parlamentar, por autoritetet izraelite thanë se nuk kishin marrë njoftim zyrtar për këtë delegacion. Ambasada izraelite në Londër deklaroi se vendi nuk do të lejojë hyrjen e personave apo organizatave që veprojnë kundër Izraelit.

Reagimet në Mbretërinë e Bashkuar ishin të përziera. Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, e kritikoi vendimin si “të papranueshëm, kundërproduktive dhe shumë shqetësues”. Ndërkohë, udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch tha se Izraeli ka të drejtë të kontrollojë kufijtë e tij dhe shtoi se ishte “domethënëse” që disa deputetë të laburistëve nuk janë të mirëpritur në vende të tjera.

Deputetet Mohamed dhe Yang u shprehën në një deklaratë të përbashkët se udhëtimi i tyre ishte organizuar nga organizata bamirëse britanike me përvojë mbi një dekadë në dërgimin e delegacioneve parlamentare në rajon. Ato kanë qenë zëra kritikë ndaj politikave izraelite në Parlament, duke përfshirë mbështetjen për sanksione ndaj ministrave izraelitë dhe thirrjet për ndalimin e mallrave nga vendbanimet izraelite në territoret palestineze.

Udhëtimi kishte për qëllim të vizitonte projekte të ndryshme humanitare dhe zhvillimore në Bregun Perëndimor, dhe ishte njoftuar zyrtarisht tek konsullata britanike në Jerusalem.

Udhëheqës të tjerë politikë në Britani kanë reaguar ashpër ndaj vendimit izraelit. Emily Thornberry e përshkroi ndalimin si “fyes për Britaninë dhe Parlamentin”. Ndërkohë, kreu i Liberal Demokratëve, Sir Ed Davey, e quajti qëndrimin e Badenoch “një tjetër gafë të rëndë”, ndërsa Lammy e cilësoi reagimin e saj si “të turpshëm”.

Ndërkohë, situata në territorin e pushtuar të Bregut Perëndimor mbetet e tensionuar. Sipas raporteve, dy palestinezë u vranë nga trupat izraelite të premten, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë operacionet e zgjatura në rajon.

Lufta në Gaza nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi kreu një sulm të papritur ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe duke marrë 251 pengje. Që atëherë, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza pretendon se mbi 50,000 persona janë vrarë si pasojë e ofensivës izraelite. Ceasefire-i i fundit përfundoi më 18 mars, pas së cilës janë raportuar mbi 1,300 viktima të tjera.

Lammy tha se prioriteti i qeverisë britanike mbetet kthimi në armëpushim dhe arritja e një zgjidhjeje paqësore për të ndalur gjakderdhjen, për lirimin e pengjeve dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.