Kombëtarja e vajzave drejt Zagrebit për sfidën e dytë ndaj Kroacisë


Kombëtarja shqiptare e vajzave është nisur sot drejt Zagrebit, ku më 8 prill do të përballet me Kroacinë në kuadër të grupit B4 të UEFA Nations League. Pas fitores bindëse 4-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Loro Boriçi”, kuqezinjtë synojnë ta përsërisin suksesin edhe në transfertë.

FSHF njofton se e vetmja dilemë për trajnerin Armir Grima është portierja Viona Rexhepi, e dëmtuar në sfidën e fundit. Gjendja e saj po monitorohet nga stafi mjekësor dhe një vendim për aktivizimin e saj do të merret nesër.

Ndërkohë, Arbenita Curraj do të mungojë për shkak të pezullimit nga kartonët. Pjesa tjetër e skuadrës është në formë dhe gati për sfidën që do të luhet të hënën në “Sport Centre Rudes”, në orën 16:00.