Një efektiv policie është arrestuar në Tiranë pasi akuzohet sepas një përplasjeje me dy persona pranë një parkimi në Fushë Krujë i ka kërcënuar me armë.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë dhe një plumb.
Njoftimi i AMP-së
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë E. Z., me detyrë Ndihmës Specialist në Komisariatin e Policisë Rinas, i dyshuar për veprat penale “Kanosje” dhe “Shpërdorim detyre”.
Arrestimi i tij u krye pasi me datë 04.04.2025 rreth orës 22:00 pranë një parkimi në Fushë Krujë, është përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta me shtetasit A. H. dhe O. H., duke kanosur jetën e tyre.
Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një gëzhojë me kapsolle të goditura dhe një objekt metalik i deformuar i ngjashëm me atë të predhës. Gjithashtu nga veprimet e para hetimore, AMP ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë të llojit Glok 17 me 12 fishekë.”
Në Kamëz është prangosur një 19-vjeçar dhe dy të mitur, 17 e 14 vjeç pasi akuzohet se ka shantazhuar një 15-vjeçare së cilës i i ka kërkuar lekë për mospublikimin e fotove.
Njoftimi
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, bazuar në kallëzimin e marrë se një 15-vjeçare kanosej nga 3 shtetas për dhënien e pasurisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blackmail”. Si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi O. N., 19 vjeç dhe dy shtetas të mitur të moshës 17 vjeç dhe 14 vjeç, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie pasurie”, të 3 banues në Kamëz.”