Përzierje të krimit dhe politikës e kandidatë të krimit qeveritar e atij mafioz i cilësoi kreu i PD-së Berisha emrat për deputetë të PS-së në zgjedhjet e 11 majit.
Në prezantimin e kandidatëve të opozitës në qarkun e Elbasanit, ai theksoi se deputetët e socialistëve janë përfaqësues të klanit Ndrangheta-Suel Çela-Taulant Balla.
“Deputetët e krahut tjetër janë një përzierje e krimit të organizuar dhe politikës. Ata janë kandidatë të krimit qeveritar, të krimit ordiner, të krimit të mafies. Miqtë e mi, ne paraqesim para jush sot kandidatë, djem, vajza, burra dhe gra fisnikë, njerëz që ju i njihni. Këtu kemi Tomorr Alizotin, një nga përfaqësuesit më dinjitozë të brezit të tij. Por edhe një nga përfaqësuesit më dinjitozë të asaj shtrese që sakrifikoi jetë dhe qindra e mijëra vite jete për liri, dinjitet dhe vlerat njerëzore, të persekutuarit politikë. Ne vijmë këtu me këtë ekip, i njohur për ju dhe asnjë anonim. Ne vijmë këtu me këtë ekip kandidatësh që u kanë shërbyer ju në të gjitha fushat. Dhe fjala ime e nderit është se ky ekip, deputetë në parlamentin shqiptar, është garanti më i fuqishëm për të bërë realitet programin e Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore pikë për pikë. Deputetët e krahut tjetër janë përzierje Ndragheta-Çela. Edhe Balla, por Balla është mbrapa. Arbjan, ty të solli Edi Rama në Elbasan për të shpëtuar lëkurën se ortakun tënd, Milorancin, antimafia italiane e çoi atë ku duhej të ishte. Të solli këtu në Elbasan me lejtnant Suel Çelën dhe bandën e tij. Qytetarë të Elbasanit, ja ku jap fjalën e nderit, se banda aty ku është, se banda në qeveri, se Arbjani i Ndraghetës, se Taulanti i Suel Çelës do shkojnë aty ku e kanë vendin. Mos mendoni ju se mund të lozni me virtytin, me guximin, me trimërinë e demokratëve, e qytetarëve të Elbasanit. Ju do merrni atë që meritoni. Elbasani nuk është i mafies, është i dijes, është i qytetërimit, është i burrërisë, është i mençurisë” – tha Berisha.
Kryedemokrati shtoi se në vend nuk do ketë më klasa me nga 40 nxënës, mësues që largohen ndërsa premtoi ulje taksash, rritje rrogash e pensionesh dhe investime në të gjitha fushat.
“Jua premtoj këtë nga ky qytet, djep i arsimit. Mësuesit nuk do të largohen për mungesë orësh nga sistemi arsimor. Numri i nxënësve në klasë do të reduktohet në 25, duke eliminuar situatën aktuale me 40 nxënës në një klasë. Do bëjmë një digjitalizim të thellë të sistemit arsimor. Do vijojnë investimet në të gjitha fushat, Shqipëria do bëhet superfuqi energjetike rajonale.” – shtoi Berisha.