I gjithë Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshje intensive shiu dhe bore, të cilat vijojnë edhe në këto momente. Reshjet kanë prekur edhe zonat e ulëta, ndërsa tre qytetet kryesore të verilindjes – Kukësi, Bajram Curri dhe Kruma – janë mbuluar nga bora.
Gjatë paradites së së dielës, reshjet e borës ishin më të theksuara në zonat e larta malore.
Të gjitha akset rrugore nacionale mbeten të qarkullueshme. Kompanitë kontraktore po vijojnë me pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës në segmentet problematike për të siguruar funksionimin normal të trafikut.
Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk janë raportuar situata emergjente.
Furnizimi me energji elektrike është i rregullt në të gjithë qarkun, me përjashtim të disa fshatrave në Njësinë Administrative Tropojë – Myhejan, Buçaj, Astë dhe Sopot – ku ka ndërprerje të përkohshme të energjisë.
Uji i pijshëm shpërndahet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria e Ujësjellësit Kukës, njofton Komisioni i Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës Kukës.
Edhe Rruga e Kombit është përfshirë nga reshje të dendura bore, por deri tani qarkullimi vijon pa probleme. Në segmentin Fan – Tunel – Kukës – Morinë janë angazhuar 18 borëpastruese për pastrimin dhe kriposjen e rrugës.