Reshjet intensive të dëborës në vend, Mbrojtja Civile: Situata është nën kontroll


Sipas të dhënave të fundit të marra nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata në vend për sa i përket gjendjes së akseve rrugore dhe prurjeve në lumenj e rezervuarë paraqitet e kontrolluar, ndonëse me sfida për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dëborës në disa zona malore.

Në Rrugën e Kombit, reshjet intensive të dëborës gjatë ditës së sotme kanë sjellë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme me të gjitha kapacitetet e mundshme të mirëmbajtjes dimërore. Në këtë aks po punohet intensivisht me një flotë prej 27 mjetesh borëpastruese dhe hedhëse kripe, ku 8 prej tyre janë të angazhuara në segmentin që shtrihet në territorin e Qarkut Lezhë, konkretisht në Bashkinë Mirditë, ndërsa pjesa tjetër prej 19 mjetesh po operojnë në pjesën që përfshin territorin e Qarkut Kukës. Falë këtij angazhimi, rruga është e kalueshme dhe qarkullimi po vijon normalisht pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.

Në aksin Elbasan–Qafë Thanë janë shënuar reshje dëbore veçanërisht në zonën e Qafë Thanës, ku kontraktorët përgjegjës për mirëmbajtjen dimërore janë të pranishëm në terren dhe po punojnë për pastrimin dhe mbajtjen e hapur të rrugës. Një situatë e ngjashme është evidentuar edhe në segmentin rrugor Zgosht–Ura e Çerenecit, ku trashësia e dëborës arrin deri në 10 cm dhe mjetet borëpastruese janë në funksion për të siguruar lëvizjen e mjeteve pa pengesa.

Në Qarkun e Korçës reshjet e dëborës kanë filluar në të gjithë territorin e këtij qarku, në veçanti në zonat që ndodhen mbi 700 metra mbi nivelin e detit. Subjektet kontraktore janë të vendosura në pikat kyçe dhe janë në gatishmëri të plotë, duke garantuar mirëmbajtjen e akseve rrugore turistike kryesore dhe atyre dytësore në të gjitha bashkitë e qarkut. Deri më tani nuk raportohen probleme që pengojnë qarkullimin ose që paraqesin rrezik për komunitetin.

Në Qarkun e Dibrës situata paraqitet më e ngarkuar për shkak të reshjeve të dëborës që kanë përfshirë të gjithë territorin mbi 500 metra mbi nivelin e detit, ku trashësia e dëborës varion nga 3 deri në 15 cm. Reshjet vazhdojnë me intensitet mesatar dhe megjithatë, infrastrukturat rrugore kombëtare dhe rurale mbeten të aksesueshme. Subjektet e kontraktuara janë të angazhuara me mjetet e duhura dhe po vijon hedhja e kripës në ato segmente ku shfaqen vështirësi për të ruajtur qarkullimin normal.

Në Qarkun e Kukësit, i gjithë territori është përfshirë nga reshje të përziera dëbore dhe shiu, të cilat janë ende të pranishme. Pavarësisht kushteve të motit, të gjitha akset rrugore kombëtare janë të kalueshme. Subjektet kontraktore janë në terren duke ndërhyrë me borëpastruese dhe kriposje në segmentet që paraqesin problematika, duke synuar mbajtjen funksionale të të gjitha rrugëve.

Në Qarkun e Shkodrës, rrugët kombëtare janë të kalueshme, megjithatë në aksin Bogë–Theth situata është më e ndërlikuar. Qarkullimi në këtë segment është i mundur vetëm me mjete me kalueshmëri të lartë të pajisura me zinxhirë. Aktualisht, po punon një mjet borëpastruese në këtë aks, por për shkak të terrenit të vështirë nuk arrin të përballojë gjithë segmentin e dëborës. Ndërkohë, aksi Tamarë–Vermosh është i hapur, por rekomandohet që të përdoren goma dimërore dhe zinxhirë për të evituar probleme gjatë lëvizjes.

Për sa i përket prurjeve në lumenj dhe rezervuarë, strukturat vendore të mbrojtjes civile raportojnë se ato ndodhen brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik për përmbytje apo situata emergjente. Monitorimi po vijon në mënyrë të pandërprerë dhe po koordinohet ngushtë me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore, me qëllim që çdo situatë që mund të krijohet të menaxhohet me efektivitet dhe në kohë reale.