Stuhi të fuqishme godasin SHBA-në qendrore-lindore, të paktën 16 të vdekur


Stuhi të fuqishme kanë përfshirë pjesën qendrore-lindore të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 16 personave, përfshirë fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë.

Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) paralajmëroi për përmbytje të tjera të “rënda dhe të menjëhershme” që priten në ditët në vijim.

Seritë e stuhive, që shtrihen nga shteti i Arkansasit deri në Ohio, kanë shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa, përmbytje rrugësh dhe kanë gjeneruar dhjetëra tornado gjatë javës së fundit.

Shteti më i goditur është Tenesi, ku autoritetet raportuan të shtunën se 10 persona kanë humbur jetën në pjesën perëndimore të tij.

Në Kentucky, përmbytjet e rënda nisën të premten. Guvernatori Andy Beshear konfirmoi se dy persona kanë vdekur nga përmbytjet, përfshirë një fëmijë nëntëvjeçar që u mor nga uji teksa shkonte drejt stacionit të autobusit.

Fotot nga terreni tregojnë dëme të mëdha në disa shtete: shtëpi të shkatërruara, pemë të rrëzuara, linja elektrike të dëmtuara dhe makina të përmbysura.

“Priten përmbytje të mëdha dhe të përhapura në rajonin qendror-lindor deri të dielën,” paralajmëroi NWS, duke theksuar se “jetët dhe pronat janë në rrezik të madh.”

Sipas mediave lokale dhe autoriteteve, dy viktima të tjera nga stuhitë janë raportuar në Missouri dhe një tjetër në Indiana.

Një pesëvjeçar u gjet i vdekur në një shtëpi në Little Rock, Arkansas, në lidhje me stuhitë ekstreme, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të shtetit.

“Përmbytjet kanë arritur nivele rekord në shumë komunitete,” shkroi guvernatori i Kentucky-t në rrjetet sociale, duke i bërë thirrje banorëve që të shmangin udhëtimet dhe të mos kalojnë kurrë nëpër rrugë të përmbytura.

Më shumë se 100,000 persona kanë mbetur pa energji elektrike në Arkansas dhe Tennessee të dielën në mëngjes, sipas faqes PowerOutage US.

NWS paralajmëroi gjithashtu se tornado të moderuara deri të rënda mund të formohen të dielën në zonat e Luginës së Tenesit dhe Luginës së Poshtme të Mississippit, së bashku me “stuhi të forta me rrufe.”