Endokrinologu Gjuro Macut është mandatari i ri për formimin e Qeverisë së Serbisë, ka njoftuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, të dielën, më 6 prill, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Vuçiç tha se Qeveria e re serbe do të zgjidhet më 18 prill.
Mjeku Gjuro Macut ka përfunduar specializimin në endokrinologji dhe aktualisht është shef i repartit për tumoret e sistemit endokrin në Klinikën e Endokrinologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Serbisë.
“Dr. Gjuro Macut, një njeri jashtëzakonisht i guximshëm, shumë i qetë, i matur, tolerant, i durueshëm dhe ndoshta specialisti më i madh në fushën e endokrinologjisë nga Vjena deri në Stamboll”, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb ka zhvilluar më herët konsultime me partitë parlamentare lidhur me mandatarin e qeverisë së re, të cilat nisën më 2 prill.
Opozita parlamentare kishte paralajmëruar se nuk do të merrte pjesë në këto konsultime, duke propozuar në vend të kësaj formimin e një qeverie kalimtare – një propozim që u refuzua nga përfaqësuesit e pushtetit.
Pas përfundimit të konsultimeve më 3 prill, kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, deklaroi se koalicioni i udhëhequr nga SNS vlerëson se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për formimin e një qeverie të re. Ai shtoi se do t’i propozonte presidentit Vuçiç dy kandidatë për postin e mandatarit.
Gjatë konferencës për shtyp në Beograd, ku njoftoi emrin e mandatarit për qeverinë e re, Vuçiç bëri të ditur gjithashtu se do të takohet me ish-presidentin amerikan Donald Trump në SHBA, ndoshta në fillim të muajit maj.
Ndryshe, Qeveria e Serbisë ndodhet në mandat teknik që nga 19 marsi, kur Kuvendi miratoi dorëheqjen e Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, duke nisur kështu afatin 30-ditor për zgjedhjen e kabinetit të ri.
Vuçeviq kishte dhënë dorëheqjen rreth një muaj e gjysmë më parë, pas një incidenti ku aktivistë të Partisë Progresive Serbe sulmuan fizikisht një grup studentësh që po bllokonin punën në disa fakultete në Novi Sad.
Rënia e Qeverisë së udhëhequr nga Millosh Vuçeviq ndodhi në kulmin e protestave të studentëve në mbarë vendin, të cilët që nga fundi i nëntorit 2024 kishin nisur të bllokonin fakultete në shumë qytete të Serbisë.
Në qendër të kërkesave të protestuesve ishte kërkesa për përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe ligjore për shembjen tragjike të një strehimi prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar, ku humbën jetën 16 persona.