Berisha në Parlamentin Europian: Shqipëria është kthyer në një narkodiktaturë, krimi po përdoret në zgjedhje


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një fjalimi në grupin konservator të Parlamentit Europian, ka deklaruar se Shqipëria është sot një “narkodiktaturë”, ku sipas tij, krimi i organizuar dhe paratë e drogës po përdoren për të manipuluar proceset zgjedhore.

Në një fjalim të mbajtur në Bruksel, Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për arrestime politike dhe përfshirje të drejtpërdrejtë në aktivitete kriminale. Ai theksoi se Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që, pas tri dekadash demokraci, është kthyer në një regjim autoritar të lidhur me krimin.

“Edi Rama po kërkon mandatin e katërt, pasi ka arrestuar tre liderët kryesorë të opozitës, përfshirë edhe mua, në një përpjekje për të eliminuar kundërshtarët politikë,” deklaroi Berisha. Ai përmendi rastin e dhëndrit të tij, Ermal Mulosmani, në arrest shtëpie për një pronë të trashëguar, si dhe arrestimin e Ilir Metës dhe gjyqin ndaj Fatmir Mediut për çështje të mbyllura prej 15 vitesh.

Sipas Berishës, Shqipëria është kthyer në një qendër të trafikut të drogës në Europë.

“Në vitin 2015, Edi Rama e mbushi Shqipërinë me kanabis, duke përfshirë edhe policinë. 12 miliardë euro u gjeneruan nga ky trafik, i cili më pas u lidh me kartelet e Amerikës Latine, përfshirë Sinaloan,” u shpreh ai.

Ai akuzoi gjithashtu Ramën për bashkëpunim me figura të njohura të botës së krimit.

“Në zyrën e tij, ka një këshilltar që koordinon aktivitetet e këtyre organizatave kriminale. Madje ka pritur edhe bosin shqiptar të Sinaloas dhe i ka dhënë leje për kazino dhe hotel me 5 yje.”

Berisha foli edhe për ndërhyrjen e krimit të organizuar në zgjedhje, duke iu referuar hetimeve nga autoritetet franceze, belge dhe holandeze, që sipas tij, kanë dorëzuar mijëra faqe me komunikime të krimit të organizuar që lidhen drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare.

“Në prag të zgjedhjeve, Rama po shpërndan para për pensionistët, po blen vota me eurot e kanabisit dhe po përdor kërcënime nga mafia,” tha ai.

Berisha e përshkroi situatën në vend si të dëshpëruar, duke përmendur largimin e mbi një milion shqiptarëve nga vendi dhe rënien ekonomike.

“Eksportet kanë rënë me 32% dhe mijëra vende pune janë zhdukur,” theksoi ai.

Në përfundim, ai u bëri thirrje eurodeputetëve të kuptojnë rrezikun që sipas tij, narkodiktatura shqiptare përbën jo vetëm për vendin, por për të gjithë kontinentin.

“Shqiptarët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të luftojnë. Narkoshteti është rrezik për të gjithë Europën,” përfundoi Berisha.