Një ekspert i çështjeve ekonomike parashikoi mbrëmjen e sotme se tarifat e vendosura nga presidenti amerikan ndaj vendeve të tjera nuk do sjellin investime në SHBA.
Selami Xhepa tha në emisionin “Open” në News24 se vendimi i presidentit amerikan është absurd dhe do prodhojë recesion dhe ai personalisht ishte kundër asaj që po ndodh.
“Vendimi s’ka logjikë politika amerikane. Do të kemi rritje çmimesh, recesion, tkurrje të ekonomisë, por jo investime në SHBA. Jam kundër kësaj lufte të paprecedente. I vetmi precedent në epokën moderne, që prodhoi përplasje dhe menjëherë humbje. Këto tarifa zhbëjnë gjithë sistemin ekonomisë. Deri tani sistemi tregtar ishte i bazuar në rregulla. Në thelb është përpjeke për të ndërtuar një sistem të ri. Tashmë organizata e tregtisë del jashtë loje. Në gjykimin tim është politikë, nuk është ekonomi. Sot bota ka ecur shumë, Amerika përmend defiçititin dhe jo sufiçitin. Po ngrihen mure tarifore, por ka rreziqe. Amerika të prodhojë vetë, është model alogjik, nuk mundet. Hapja ekonomike ishte thelbi i prosperitetit. Konsumatori do paguajë faturën në gjithë këtë luftë tregtare.” – tha eksperti.