Gjykata Themelore në Gjakovë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj katër të pandehurve me inicialet B.R., N.V., P.K. dhe M.S., të gjithë shtetas të nacionalitetit serb. Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në bashkëkryerje.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, më 5 prill 2025, të pandehurit janë ndaluar në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë nga policia, pasi automjeti i tipit Toyota, ngjyrë gri, që drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësinë në një zonë të kufizuar.
Gjatë ndalimit, drejtuesi i mjetit është pyetur nga zyrtarët policor nëse posedonte ndonjë objekt të paligjshëm, dhe ai është përgjigjur negativisht, duke ofruar vetë të lejohej kontrolli i veturës. Gjatë kontrollit, janë gjetur disa mjete të mprehta: një sëpatë, një thikë me këllëf dhe një thikë-sharrë, të cilat të pandehurit i mbanin me vete gjatë një vizite të organizuar në disa Manastire Ortodokse në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana që justifikojnë masën e paraburgimit, duke marrë parasysh natyrën e veprës penale dhe nevojën për sigurimin e rrjedhës së procedurës penale.