Grupi Union shet aksionet në Digitalb, familja Hoxha merr shumicën kontrolluese


Familja Hoxha ka rritur pjesëmarrjen e saj në kompaninë Digitalb, me blerjen e aksioneve që mbaheshin nga grupi i biznesit Union.

Union Grup ka shitur 13.6% të aksioneve që mbante në Digitalb te shoqëria About Time, subjekt në pronësi të plotë të Vjollca Hoxhës. Transaksioni është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Grupi Union ka shitur njëkohësisht edhe 3.2% të aksioneve që kontrollonte nëpërmjet shoqërisë tjetër të grupit, Arch Investor, te Top Channel, kompani që zotërohet nga trashëgimtarët ligjorë të themeluesit të saj, Dritan Hoxha. Shuma e transaksionit të shitblerjes nuk është bërë publike.

Nëpërmjet këtyre transaksioneve, familja Hoxha e ka rritur pjesëmarrjen e saj në Digitalb në afërsisht 60% të aksioneve, duke përfituar shumicën vendimmarrëse në shoqëri.

Që prej vitit 2019, kompania Digitalb ishte përfshirë nga mosmarrëveshjet mes aksionerëve të saj, si rrjedhojë e ndërprerjes së pagesave ndaj ish-aksionerëve të shoqërisë Supersport, të mbështetura në marrëveshjen e bashkimit me përthithje të dy shoqërive.

Në reagim, ish-aksionerët ekzekutuan të drejtat e parashikuara në marrëveshjen siguruesve të lidhur mes palëve duke rritur pjesëmarrjen e tyre në Digitalb dhe duke i hequr familjes Hoxha kontrollin vendimmarrës mbi kompaninë.

Problemet e brendshme mes aksionerëve në vazhdimësi u reflektuan edhe në mosmarrëveshje për administrimin e shoqërisë dhe më tej, në një përkeqësim të vazhdueshëm të performancës financiare të saj.

Që nga viti 2021, kompania ka raportuar për tre vite radhazi rezultat financiar me humbje.

Sipas pasqyrave të fundit financiare, në fund të vitit 2023 Digitalb deklaronte humbje të akumuluara në vlerën e 1.24 miliardë lekëve dhe një kapital negativ në vlerën e 984 milionë lekëve. Për vitin 2023, humbjet neto kishin vlerën e 655 milionë lekëve, në rritje me 22% krahasuar me një vit më parë.

Të ardhurat për 2023 ranë, gjithashtu, në rreth 2.9 miliardë lekë, 9% më pak krahasuar me një vit më parë. Xhiroja e kompanisë ka pësuar rënie me 45% në harkun e pesëvjeçarit 2018-2023.

Megjithatë, Digitalb vazhdon të ruajë një avantazh të dukshëm në pjesën e tregut sipas xhiros ndaj platformës konkurrente, Tring TV. Për vitin 2023, Tring raportoi një xhiro në vlerën e 1.41 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 4.5%.

Edhe për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme dhe përkeqësimit të situatës financiare, prej vitesh aksionerët kërkuan një blerës për Digitalb, por disa negociata, dështuan.

Digitalb u themelua në vitin 2004, si platforma e parë televizive dixhitale në Shqipëri. Kompania mbetet operatori mē i madh i televizionit me pagesê në vend, me xhiro tre herë më të lartë se konkurrentët dhe ka një prezencë dominuese në Shqipëri e Kosovë./ E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor