Ish-zyrtari i FDA-së thotë se u detyrua të largohej pasi refuzoi t’i jepte ekipit të RFK Jr. akses të plotë në të dhënat e sigurisë së vaksinave


Pak para se të detyrohej të jepte dorëheqjen, zyrtari më i lartë i FDA për vaksinat, Dr. Peter Marks, thotë se kishte refuzuar t’i jepte ekipit të Sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., akses të pakufizuar në një bazë të dhënash konfidenciale për sigurinë e vaksinave, nga frika se informacioni mund të manipulohej ose madje të fshihej.

Në një intervistë për Associated Press, Marks rrëfeu përpjekjet e tij për të “mbajtur një ton të mirë” me Kennedy dhe për të adresuar shqetësimet e tij të kahershme lidhur me sigurinë e vaksinave, duke përfshirë edhe hartimin e një “plani transparence për vaksinat”.

Ai ra dakord që bashkëpunëtorët e Kennedy-t të kishin të drejtë vetëm për lexim të mijëra raportimeve mbi efekte të mundshme anësore të vaksinave, të dërguara në sistemin qeveritar të raportimit për ngjarje të padëshiruara të vaksinave (VAERS).

Por ai refuzoi që ata të kishin të drejtë të modifikonin drejtpërdrejt të dhënat.

“Pse jo? Sepse, për ta thënë troç, nuk i besojmë,” tha Marks, duke përdorur një fjalë të rëndë. “Do ta shkruanin sipër ose do ta fshinin të gjithë bazën e të dhënave.”

Marks foli për AP një ditë pasi zyrtarët në Teksas konfirmuan vdekjen e dytë nga fruthi në një fëmijë të pavaksinuar gjatë këtij viti.

Ai e lidh këtë vdekje me qasjen e dobët të Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së, i cili të dielën përsëriti thirrjen për vaksinimin MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës), por gjithashtu promovoi pretendime për përdorimin e vitaminës A si alternativë.

Gjatë dëshmive në Senat, Kennedy ka deklaruar se nuk është “kundër vaksinave”. Por që nga marrja e detyrës si Sekretar i Shëndetësisë, ai ka premtuar të “hetojë” vaksinat për fëmijë.

Agjencitë nën drejtimin e tij kanë ndërprerë kërkime për vaksinat, kanë anuluar takime të këshilltarëve shkencorë për vaksinat dhe po përgatiten të rihapin hetimet mbi lidhjen mes vaksinave dhe autizmit – një lidhje që është hedhur poshtë prej kohësh nga shkenca.

“Që nga marrja e detyrës, z. Kennedy ka përshpejtuar ritmin për të minimizuar përdorimin e vaksinave në vend,” tha Marks.

Zëdhënësi i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore tha se Kennedy ka mbështetur publikisht vaksinimin disa herë që kur ka marrë detyrën, duke përmendur një postim të tij në rrjetet sociale të dielën, ku ai e quajti vaksinën “mënyra më efektive për të parandaluar përhapjen e fruthit”.

Zëdhënësi shtoi se është “plotësisht logjike” që stafi i Kennedy-t të kërkojë qasje në bazën e të dhënave VAERS për të bërë analizat e veta.

Dr. Marks, një figurë shumë e respektuar në mesin e ish-drejtorëve të FDA dhe drejtuesve të industrisë së bioteknologjisë, tha se kishte bërë gjithçka për të ndërtuar ura bashkëpunimi me Kennedy. Në qendër të përpjekjes ishte një plan për të rritur transparencën mbi përbërësit e vaksinave, sigurinë dhe efektet anësore të tyre.

Ai dhe ekipi i tij kishin planifikuar të nisnin një nismë disa mujore me një sesion publik dy-ditor dëgjimi, i ndjekur nga një raport ekspertësh i hartuar nga një organizatë e pavarur, siç është Akademia Kombëtare e Shkencave.

Ky rast nënvizon tensionet e thella brenda administratës për çështjet e shëndetit publik dhe ngre shqetësime të reja për ndikimin politik në punën e rregullatorëve shkencorë në SHBA.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP