Koreja e Veriut ka organizuar për herë të parë pas gjashtë vitesh Maratonën Ndërkombëtare të Phenianit, një ngjarje që mblodhi rreth 200 vrapues të huaj në rrugët e kryeqytetit të shtetit të izoluar. Maratona, e themeluar në vitin 1981, zhvillohet tradicionalisht çdo prill për të përkujtuar lindjen e udhëheqësit themelues Kim Il Sung.
Gara e fundit ishte mbajtur në vitin 2019, me pjesëmarrjen e 950 vrapuesve të huaj, para se vendi të mbyllej për shkak të pandemisë Covid-19. Pas një periudhe të gjatë izolimi, Pheniani nisi hapjen graduale vetëm në mesin e vitit 2023, fillimisht duke pritur turistë rusë.
Të huajt që morën pjesë në edicionin e këtij viti u lejuan të hyjnë në vend vetëm si pjesë e grupeve të organizuara turistike. Një nga agjencitë që ofronte këtë përvojë ishte “Koryo Tours”, me bazë në Pekin, e cila reklamonte një tur gjashtëditor maratonë me çmim 2,195 euro.
Maratona nisi dhe përfundoi në stadiumin “Kim Il Sung”, të mbushur me spektatorë që brohorisnin dhe valëvisnin flamuj letre. Rruga e garës përshkroi pika të njohura të kryeqytetit si Harkun e Triumfit dhe Rrugën Mirae, e ndërtuar për komunitetin shkencor të vendit.
Një vrapues vendas, Pak Kum Dong, i tha agjencisë Reuters: “Sytë e njerëzve tanë mbi mua më ndihmuan të përballoj lodhjen gjatë garës”.
Megjithatë, nuk janë publikuar rezultatet zyrtare të garës./BBC