Kryeministri Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit, Herzog: Besa ka udhëhequr popullin shqiptar


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është vlerësuar me Medaljen Presidenciale të Nderit nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, gjatë një ceremonie të posaçme zhvilluar në Tel Aviv.

Ky nderim iu dha Ramës për angazhimin e tij të palëkundur në luftën kundër antisemitizmit dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-izraelite.

Gjatë ceremonisë, Presidenti Herzog vlerësoi rolin historik të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përmendur traditën shqiptare të Besës, si një vlerë që frymëzoi mbrojtjen e qindra jetëve izraelite në kohë të errëta.

 

 

“Më lejoni kryeministri Rama që t’ju jap Medaljen Presidenciale të Nderit. Besa ka udhëhequr popullin shqiptar.

Shqiptarët ditën të mbrojnë izraelitët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ju keni bërë një punë tepër të madhe në luftën kundër antisemitizmit.

Dua të përgëzoj qeverinë shqiptare për të gjitha urat bashkëpunuese mes Shqipërisë dhe Izraelit. Faleminderit që na keni pritur ngrohtësisht.

Është kënaqësia më e madhe e imja që t’ju nderoj me Medaljen presidenciale të Izraelit.

Ndërsa ne jemi këtu, shumë izraelitë mbahen pengje dhe po luftojnë me jetën.”