Mijëra protestojnë në Paris në mbështetje të Le Pen (Video)


Mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Parisit në mbështetje të ish-kryetares së partisë së krahut të djathtë Rally National (RN), Marine Le Pen. Kandidatja tre herë për president u dënua me burg dhe ndalim nga kandidimi për 5 vjet, të hënën e kaluar.

E mbështetur nga 120 deputetë të RN, Le Pen iu drejtua turmës nga një skenë e improvizuar në Place Vauban të dielën. Ajo e quajti përndjekjen e saj një “gjueti shtrigash” politike, duke u zotuar se “të mos dorëzohet”.

“Ky vendim ka shkelur gjithçka që kam më shumë përzemër: popullin tim, vendin tim dhe nderin tim,” tha ajo ndërsa mbështetësit valëvitnin flamuj dhe brohoritnin “Marine për president!” dhe “Nuk do na e vjedhin 2027-ën!”

Një gjykatë në Paris e dënoi Le Penin me katër vjet burg, dy prej të cilave janë të pezulluar, ndërsa dy të tjerët do i vuajë në një formë arresti shtëpie. Ajo gjithashtu mori një ndalim pesëvjeçar për të mbajtur poste politike, gjë që e skualifikon atë nga gara presidenciale e vitit 2027, shkruan Rt.

Sipas gjykatës, politikania veterane përdori fondet e BE-së të destinuara për punën e ndihmësve në Parlamentin Evropian për të paguar punonjësit në Francë. Ajo mohoi çdo keqbërje dhe u zotua të apelojë vendimin.

Gjatë tubimit, Le Pen sulmoi BE-në dhe agjencinë e saj kundër mashtrimit, OLAF, duke e quajtur atë një “organizëm totalitar”.

“Qëllimi i vetëm i sistemit është të qëndrojë në vend, pa marrë parasysh koston,” tha ajo, duke pretenduar se disa politikanë po persekutohen në gjithë BE-në.

 

“Kandidatët që nuk i pëlqejnë së majtës pengohen të konkurrojnë,” tha ajo, duke iu referuar kandidatit presidencial rumun Calin Georgescu, të cilit gjithashtu kohët e fundit iu ndalua të merrte pjesë në zgjedhje.

Sipas organizatorëve të tubimit, 5,000 deri në 8,000 njerëz kishin marrë pjesë në tubim.

Rreth 5,000 njerëz morën pjesë në një kundërprotestë të krahut të majtë në Paris të dielën. Në të morën pjesë kryetarja e Partisë së Gjelbër, Marine Tondelier dhe koordinatori kombëtar i France Unbowed, Manuel Bompard.