Kuti kartoni të mbushura me fletë votimi janë filmuar brenda ambienteve të Parkut Olimpik në Tiranë. Pamjet tregojnë përgatitjet në vijim për procesin e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Bëhet fjalë për fletët e votimit të cilat do t’u dërgohen emigrantëve shqiptarë, si pjesë e votimit për zgjedhjet e ardhshme. Paralelisht me mbërritjen e tyre, po përshtatet edhe një hapësirë brenda parkut, e cila do të shërbejë për monitorimin e votës.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi disa ditë më parë se procesi i përgatitjes është në fazë intensive. Sipas tij, më 7 ose 8 prill pritet të përfundojë shpërndarja e fletëve të votimit, ndërsa në datat 8-10 prill do të nisë përgatitja e zarfeve dhe e dokumentacionit shoqërues për çdo votues jashtë vendit.
“Shpresojmë që e gjithë kjo fazë të përfundojë deri më 15 ose në maksimumin e saj, deri më 17 prill. Kjo do të na japë kohë të mjaftueshme që votat të mbërrijnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda afatit përfundimtar, që është ora 19:00 e datës 11 maj,” tha Celibashi në deklaratën e dhënë më 2 prill.