Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti një fjalim emocional gjatë ceremonisë së dhënies së Medaljes Presidenciale të Nderit në Izrael, ku theksoi rolin historik të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit dhe angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit.
Rama theksoi se Shqipëria ka përfshirë mësimin e Holokaustit në kurrikulat shkollore, si një hap i rëndësishëm për edukimin e brezave të rinj mbi krimet e së kaluarës.
Ai bëri të ditur se në vend po ndërtohen dy qendra kulturore hebraike, si dëshmi e bashkëpunimit të thellë mes dy vendeve.
“Populli shqiptar mbrojti hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët nuk dorëzuan asnjëherë hebrenjtë.
Myslimanët u bënë mburoja më e fortë e hebrenjve. Ne duhet të ngremë zërin kundër antisemitizmit, kemi futur në kurrikula mësimin e Holokaustit, një nga krimet më të tmerrshme në histori.
Ne po ndërtojmë dy qendra kulturore hebreje në vend. Siç bënë gjyshërit tanë, ne vijojmë frymën e bashkëpunimit.
Shqipëria, në konfliktin e sotëm ka qenë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri dhe historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe e kompromis.”