Trump: Është e papranueshme që SHBA të humbasë 1.9 trilion dollarë në bilancin tregtar, shpenzojmë shumë për NATO-n


Tregjet amerikane nisën javën me rënie të ndjeshme, duke shënuar sesionin e tretë negativ si pasojë e tensioneve tregtare. Ndërkohë, tregjet aziatike ranë gjatë natës, me humbje të raportuara në Singapor, Australi, Japoni, Korenë e Jugut dhe Indi.

Bashkimi Evropian është shprehur i gatshëm për negociata me SHBA-në lidhur me tarifat, por presidentja Ursula von der Leyen theksoi se blloku po përgatitet edhe për kundërmasa.

Ndërkohë, dy senatorë republikanë, Mike Lee dhe Ron Johnson, kanë bërë thirrje që Trump të pranojë ofertën e BE-së për tarifa zero ndaj mallrave industriale në të dy drejtimet.

Në një postim, Trump tha se është e papranueshme që SHBA të humbasë 1.9 trilion dollarë në bilancin tregtar ndërsa shpenzon shumë për NATO-n. “Gjërat duhet të ndryshojnë – sidomos me Kinën,” shtoi ai.

Ndërkohë, Kanadaja ka paraqitur një ankesë zyrtare në Organizatën Botërore të Tregtisë (WTO) lidhur me tarifat 25% të Trump ndaj automjeteve dhe pjesëve të tyre.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa shtesë prej 50% ndaj eksporteve kineze nëse Pekini nuk heq menjëherë tarifat ndëshkuese ndaj mallrave amerikane, raporton CNBC.

Në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump i ka dhënë afat Kinës deri të martën për të hequr tarifat prej 34%, të vendosura si kundërpërgjigje ndaj masave amerikane të javës së kaluar. Nëse Kina nuk tërhiqet, Trump paralajmëroi se jo vetëm do të vendosen tarifat e reja, por edhe do të anulohen të gjitha bisedimet në plan për t’u zhvilluar mes dy palëve.

“Nëse ndonjë vend kundërpërgjigjet ndaj tarifave të reja të SHBA-së, do të përballet menjëherë me tarifa edhe më të larta,” shkroi Trump. “Të gjitha bisedimet me Kinën do të ndërpriten dhe do të nisë negociimi me vende të tjera që kanë kërkuar takime me ne.”

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se nëse kërcënimi i Trump realizohet, tarifat totale ndaj mallrave kineze do të arrijnë në 104%.