Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të vendosë një tarifë shtesë prej 50% ndaj importeve nga Kina, nëse Pekini nuk tërhiqet nga tarifa hakmarrëse prej 34% ndaj Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump i ka dhënë afat Kinës deri të martën për të hequr tarifat prej 34%, të vendosura si kundërpërgjigje ndaj masave amerikane të javës së kaluar.
Nëse Kina nuk tërhiqet, Trump paralajmëroi se jo vetëm do të vendosen tarifat e reja, por edhe do të anulohen të gjitha bisedimet në plan për t’u zhvilluar mes dy palëve.
Deklarata e Trump vjen në një kohë kur tregjet financiare amerikane kanë pësuar një tjetër rënie të ndjeshme në hapje të sesionit të sotëm.
Pavarësisht kësaj, ai u ka bërë thirrje investitorëve dhe qytetarëve që të tregojnë durim dhe të mos jenë “të dobët” apo “budallenj”.
Ndërkohë, ndikimi është ndier edhe në bursat ndërkombëtare, sipas BBC.
Në Londër, indeksi FTSE 100 ra në nivelin më të ulët të vitit – duke shënuar një humbje deri në 6% në një moment të ditës.
Në Europë, çmimet e aksioneve kanë pësuar gjithashtu një rënie të thellë, ndërsa tregjet aziatike kanë regjistruar disa nga humbjet më të mëdha në dekada.
Kryeministri britanik Keir Starmer e ka cilësuar përshkallëzimin e tarifave si një “sfidë të madhe”, duke i thënë kompanisë Jaguar Land Rover se “do t’ju mbështesim pa rezerva” përballë pasojave ekonomike.
Për ata që nuk janë të njohur me termin, FTSE 100 është një indeks që përfaqëson 100 kompanitë më të mëdha të listuara në bursën e Londrës.