18 të vdekur dhe mbi 120 të lënduar pas shembjes së çatisë së një klubi nate në Republikën Dominikane


Të paktën 18 persona kanë humbur jetën pasi çatia e një klubi nate në Santo Domingo, në Republikën Dominikane, u shemb në orët e para të mëngjesit të së martës, njoftoi policia vendase, përcjell NBC News.

Ende nuk dihet shkaku i shembjes së çatisë së Jet Set, një nga klubet më të njohura në Distriktin Kombëtar të kryeqytetit.

Sipas mediave lokale, ngjarja ndodhi gjatë një performance të këngëtarit të njohur të merengues, Rubby Pérez.

Drejtori i operacioneve të emergjencës në vend, Juan Manuel Mendez, deklaroi përmes një videoje në Instagram se janë kryer 121 transferta me autoambulanca në spitale të ndryshme.

Numri i personave të shtruar mund të jetë më i madh, pasi një ambulancë mund të ketë transportuar më shumë se një person.

“Ende po punojmë, duke kërkuar njerëz nën rrënoja. Besojmë se shumë prej tyre janë ende gjallë, prandaj autoritetet me ekipet e tyre nuk do të ndalojnë deri sa të gjejnë personin e fundit,” tha Mendez në një video të publikuar në faqen zyrtare të Instagramit të Policisë Kombëtare të Republikës Dominikane.

Menaxheri i Rubby Pérez, Evelio Herrera, tha se këngëtari është gjetur dhe është në gjendje stabile.

 “Le të vazhdojmë të lutemi që më shumë njerëz të gjenden të gjallë,” shtoi ai në një postim në Instagram.

Fotot e publikuara nga mediat lokale tregojnë skena tragjike nga vendngjarja – çatia e shembur në copa, mure të rrënuara dhe grumbuj me mbetje ndërtimore.

“Qyteti ynë është zgjuar me një tragjedi të tmerrshme që ndodhi në klubin Jet Set. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet që ende presin lajme për të dashurit e tyre,” shkroi në platformën X (ish-Twitter) kryetarja e bashkisë së Santo Domingos, Carolina Mejía de Garrigó. Ajo shtoi se komiteti kombëtar për përgjigje ndaj katastrofave është aktivizuar.

Presidenti i Republikës Dominikane, Luis Abinader, vizitoi vendin e ngjarjes në mëngjesin e së martës dhe deklaroi se qëllimi kryesor është “shpëtimi i jetëve.”

“Gjatë gjithë natës e kemi ndjekur minutë pas minute për të siguruar që të gjitha burimet qeveritare të jenë në përdorim. Na pret ende shumë punë, por kemi besim te Zoti se do të shpëtojmë edhe më shumë njerëz që janë gjallë nën rrënoja,” tha ai, sipas një videoje të publikuar nga policia.