Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpalosur një sërë premtimesh dhe qëndrimesh në lidhje me çështjet ekonomike dhe sociale në Shqipëri, gjatë takimit të tij të sotëm të mbajtur në Lezhë.
Berisha ka premtuar përgjysmimin e barrës fiskale për bizneset dhe faljen e gjobave të vendosura ndaj tyre. Ai gjithashtu ka deklaruar se paga minimale për mësuesit do të jetë 1,500 euro.
“Rrogën minimale 500 euro, rrogën mesatare 1200 euro. Gjatë një mandati në Shqipëri nuk do të ketë mësues që të mos marrë 1500 euro”, specifikoi ai.
Në sektorin e shëndetësisë, Berisha synon që çmimet e ilaçeve në Shqipëri të jenë të njëjta me ato në vendet e Bashkimit Evropian. Për pensionistët, ai ka premtuar ofrimin e dy kontrolleve mjekësore falas në vit.
“Lista e ilaçeve të cilat i merrni në farmaci, ilaçet Doshi-Nushi, Nushi-Doshi të skaduara tërësisht do të jetë identike me listën e Republikës Italiane, dhe në territorin e Shqipërisë nuk do të tregohet kurrë një ilaç që nuk është tregtuar në dy vende të BE-së”, tha ndër të tjera.
Duke adresuar çështjen e emigracionit, Berisha ka kërkuar sqarime mbi arsyet e largimit të një pjese të madhe të popullsisë jashtë vendit dhe ka kritikuar përpjekjet për zëvendësimin e tyre me punëtorë nga Bangladeshi. Ai ka ftuar për një ballafaqim publik në Lezhë ose në çdo qytet tjetër për të diskutuar këto çështje.
“Hajde t’u themi shqiptarëve pse u larguan nga Shqipëria pothuajse gjysma e popullatës, apo doje t’i zëvendësoje me bangladeshas. Pra nuk del dot. Edhe emrin nuk më vjen për mbarë t’ia dëgjoj, por jam gati në çdo shesh dhe çdo studio të ballafaqohem me të”, deklaroi Berisha.
Berisha ka deklaruar se nisma “Ballkani i Hapur” do të anulohet pas ardhjes së tij në pushtet. Ai ka premtuar gjithashtu se do të ndalojë futjen e pesticideve kancerogjene në tregun shqiptar, duke synuar mbrojtjen e fermerëve dhe konsumatorëve.
“Nuk do të futen pesticide kancerogjenë, garanci të plotë për prodhimet e tyre. I garantoj fermerët e Lezhës dhe gjithë Shqipërisë, për mbrojtje sezonale. Ballkani i Hapur në kosh përfundon. Asnjë ditë nuk do të zbatohet pas ardhjes në pushtet”, është shprehur Berisha.