Kreu i PD-së Berisha tha sot se kryeministrit Rama i ishte anuluar darka në Këshillin e Evropës duke e quajtur këtë gjë një skandal.
Ai tha se gjatë takimit kishte raportuar për problemet e Shqipërisë të shkaktuara nga narkoregjimi i qeverisë.
“U ktheva nga një udhëtim, qëndrim dhe vizitë njëditore në Strasburg, i ftuar nga grupi i Partisë Popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, por edhe grupi i demokratëve konservatorë në këtë asamble, për të shkëmbyer mendime për gjendjen në Shqipëri. Por duhet t’u them këtu, ishte një kënaqësi shumë e veçantë, pas të themi pothuajse skandalit ndërkombëtar të Edi Ramës, çka kishte detyruar në një akt të pashembullt me një lider evropian, kishte detyruar drejtuesit e këtij institucioni të anulojnë darkën zyrtare të parashikuar për kryeministrin e Shqipërisë, pasi ai nuk ishte i denjë për këtë darkë. Nuk ishte i denjë, ia anuluan darkën. Nuk po ndalem në reagimet e tij pas anulimit të darkës që janë një turp i madh për të mos thënë dhe gjer më shumë. Por tani po informoj shqiptarët se unë aty isha zëri i tyre, zë që u paraqiti grupeve parlamentare të vërtetat mjerisht pak të njohura mbi regjimin e Edi Ramës, narkoshtetin dhe narkodiktaturën në Shqipëri.” – tha Berisha.
Kryedemokrati tha më tej se gjatë takimit ngriti çështjen e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar si dhe hapjen e vendit ndaj trafikut të kokainëse bashkëpunimin e qeverisë me të.
“Hapja e Shqipërisë ndaj kokainës, shkrirjen në një sipërmarje të përbashkët të shtetit me krimin, vendimmarrjen në të gjithë nivelet të krimit të organizuar në Shqipëri, këto ishin tezat kryesore që paraqita aty të faktuara me dokumente. Ishin tronditëse për audiencën e nderuar. Natyrisht impakti receptiviteti i kësaj ekspozeje ishte shumë pozitive. Një numër i konsiderueshëm shprehën angazhimin për të ardhur si vëzhgues në zgjedhjet e 11 majit. Pata një takim të veçantë në komitetin anti-torturë, komuniteti i vetëm i kësaj natyre me lidhje të fuqishme me institucione të tjera, e informova për gjendjen dramatike të burgjeve dhe torturën që ushtrohet në komisariate e qeli për serialin e vdekjeve të të rinjve shqiptarë si kurrë ndonjëherë me potencialin më të madh të helmuar nga droga. Për gjobën 2 mijë euro që paguajnë të burgosurit për të pasur kushtet minimale. Një vëmendje të veçante ishte këtu tortura publike që i bënë Ilir Metës. I njoftova se shqiptarët kanë humbur prezumimin e pafajësisë”, tha ai.