Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të martë me rubrikën e tij të përjavshme “Sy m’sy”, një bashkëbisedim me qytetarët përmes komenteve në rrjetet sociale, ku u ndal tek zhvillimet politike dhe rëndësia e procesit që pritet më 11 maj.
Në mesazhin e tij, Rama theksoi se Bashkimi Evropian nuk bazohet në retorikë politike apo preferenca partiake, por në rezultate konkrete. Sipas tij, dera për anëtarësimin është e hapur dhe ky është një moment historik për Shqipërinë.
“BE nuk bën komente në Facebook, nuk ka fanellë partiake dhe nuk merr pjesë në votime. Ka një mekanizëm të ftohtë që vlerëson vetëm punët dhe rezultatet. Ky është momenti i historisë ku ne mund të bëjmë diçka që askush tjetër nuk mund ta bëjë. Çdo lëkundje më 11 maj do të ishte fatale për vendin,” – deklaroi kryeministri.
Në vijim, ai u ndal edhe tek imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë, duke theksuar se vendi ka kaluar nga një pozitë e përçmuar, në një vend që po fiton respekt dhe po shfaqet si një destinacion serioz dhe atraktiv.
“Nga një vend që nuk na i hidhte kush sytë, tani shihemi me respekt. Jemi një vend i vogël, por serioz, dhe një vend që po fitohet si destinacion turistik,” – tha Rama.