Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të martën se forcat ukrainase kanë kapur dy shtetas kinezë që po luftonin në radhët e ushtrisë ruse në rajonin lindor të Donetskut, një zhvillim që ai e konsideron si përpjekje të Kremlinit për ta përfshirë Kinën në konflikt “drejtpërdrejt ose tërthorazi”.
Zelensky deklaroi se këta dy individë janë vetëm një pjesë e vogël e numrit më të madh të shtetasve kinezë që janë pjesë e forcave të armatosura ruse, sipas The Guardian.
Ai shtoi se do t’i kërkojë ministrit të tij të jashtëm “të kontaktojë menjëherë Pekinin dhe të sqarojë se si Kina ka ndërmend të reagojë ndaj kësaj”.
Nuk është ende e qartë nëse të kapurit janë dërguar nga ndonjë strukturë shtetërore kineze apo kanë vepruar në mënyrë të pavarur.
Disa qindra shtetas kinezë mendohet se kanë udhëtuar për të luftuar si mercenarë në krah të ushtrisë ruse, së bashku me persona nga Nepali dhe vende të Azisë Qendrore.
Statusi i tyre duket të jetë ndryshe nga ai i rreth 11 mijë ushtarëve nga Koreja e Veriut, të cilët janë vendosur në vijën e parë të frontit pas një marrëveshjeje politike mes Phenianit dhe Moskës.
Sipas Zelenskyyt, dy personat e kapur kishin me vete dokumente identiteti, karta bankare dhe të dhëna personale, të cilat tani po hetohen nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU).
Presidenti ukrainas theksoi se ky zhvillim tregon se Rusia nuk ka ndërmend të pranojë një armëpushim në negociatat e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të, të cilat deri më tani kanë shënuar vetëm përparime të kufizuara.
“Përfshirja e Kinës, së bashku me vende të tjera, nga ana e Rusisë – qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi – në këtë luftë në Evropë, është një sinjal i qartë se Putini nuk ka ndërmend ta përfundojë këtë luftë. Ai po kërkon mënyra për të vazhduar luftimet,” shkroi Zelenskyy në rrjetet sociale.
Ai theksoi se kjo ngjarje “kërkon patjetër një reagim” nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe “të gjithë ata që në botë dëshirojnë paqe”.
Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga Moska apo Pekini.
Nën postimin e tij në platformën X, Zelenskyy publikoi një video të shkurtër ku shfaqet një ushtar i kapur, me duart e lidhura, duke folur në gjuhën mandarin.
Publikimi i imazheve të të burgosurve të luftës, sipas Konventave të Gjenevës, bie ndesh me mbrojtjen që duhet t’u garantohet atyre kundër ekspozimit publik.
Kina ka deklaruar se është një palë neutrale në këtë konflikt. Rusia, nga ana tjetër, përdor në mënyrë të gjerë komponentë të prodhuar në Kinë për industrinë e saj ushtarake, ndërsa edhe Ukraina në një farë mase mbështetet te këto produkte.
Të dyja palët përdorin gjerësisht dronë të markës Mavic, të prodhuar nga kompania kineze DJI, ndonëse Kievi po përpiqet të reduktojë varësinë nga teknologjitë kineze.
Burime perëndimore thanë se është ende herët për të nxjerrë përfundime të qarta për personat e kapur. Një zyrtar tha: “Deri tani nuk kemi dëshmi që tregojnë për përfshirje shtetërore,” duke lënë të kuptohet se individët mund të kenë vepruar me iniciativën e tyre.
Qindra individë nga rreth 70 vende, përfshirë SHBA-në, Britaninë dhe shtete të tjera evropiane, kanë luftuar në radhët e ushtrisë ukrainase.
Disa njësi ushtarake, si Brigada Azov, kanë bërë thirrje të hapura për rekrutimin e të huajve, për të forcuar radhët e tyre pas më shumë se tre vjetësh luftë intensive.